Ibra: Admiroj Klopp. Kalimi tek Borussia i pamundur

19/02/2014 19:30

Zlatan Ibrahimoviç dhe Jurgen Klopp tërhoqën vëmendjen publike kur në ceremoninë e dorëzimit të Topit të Artë, më parë gjatë Janarit, u kapën në kamera duke bashkëbiseduar dhe shkëmbyer batuta në mënyrë të përzemërt.

Në një intervistë të dhënë për “Sky Deutschland”, suedezi iu rikthye këtij takimi, duke rezervuar fjalët më të mira për trajnerin e Borussias, në të njëjtën kohë që vlerësoi si të pamundur hipotezat që kanë qarkulluar në media për një transferim të tij të mundshëm në radhët e nënkampionëve të Europës.

Ndonëse në një video të publikuar në Janar, sulmuesi tha se do të luante me kënaqësi në “Signal Iduna Park” edhe pa pagesë, këtë herë Ibrahimoviç theksoi: “Jurgen Klopp është një tip shumë i veçantë. Më pëlqen shumë loja e Dortmundit dhe Klopp që është pak si i çmendur, por e vërteta është që nuk mund të luaj për Borussian. Për mua nuk është e mundur që t’i bashkohem Bundesligës pasi kam një kontratë me Parisin dhe dua të qëndroj këtu edhe shumë kohë”.

Pa dyshim, për kundërshtarët e Borussias kjo është një deklaratë e mirëpritur, duke parë se si Ibra udhëhoqi me dy gola skuadrën e tij në suksesin 4-0 në fushën e Leverkusenit, në ndeshjen e vajtjes së të tetave të Champions, zhvilluar të martën.

Top Channel