Conte: Në Europa League për ta fituar

19/02/2014 19:20

Ndonëse për skuadrat italiane është kthyer në një traditë të shëmtuar nënvlerësimi i Europa League, trajneri i Juventusit, Antonio Conte, duket i motivuar për të udhëhequr skuadrën e tij deri në fund të këtij kompeticioni, finalja e të cilit në këtë sezon zhvillohet në “Juventus Stadium”.

Në një intervistë të publikuar në mediat italiane, Conte u shpreh tepër i motivuar nga mundësia e arritjes së një suksesi europian, ndonëse jo në skenën e shumëëndërruar të Champions League.

“Në 52 ditët e ardhshme, përfshirë ndeshjet ndërkombëtare, futbollistët do të luajnë 16 ndeshje zyrtare. Duhet të jemi të gatshëm për këtë”, tha Conte.

“Kam nevojë për një skuadër të plotë në dispozicionin tim për t’ia dalë mbanë, por jemi të vendosur që të nderojmë Europa League në mënyrën më të mirë të mundshme. Suksesi në këtë kompeticion do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Është një mundësi që na është paraqitur dhe pres nga të gjithë që të kontribuojnë për suksesin përfundimtar”, shtoi trajneri i kryesuesve të Serisë A.

Juventusi përfundoi në vendin e tretë në grupet e Champions, pas Realit dhe Gallatasarajit e në provën e parë në Europa League do të sfidohen nga një tjetër skuadër turke, Trabzonspori.

“Luajmë ndaj një kundërshtari të vështirë, që në fazën e grupeve arriti të mposhte Lazion. Ata kanë disa futbolliste me të vërtetë të rrezikshëm, sidomos në repartin ofensiv”, vlerësoi Conte.

Top Channel