Champions, Bayern thyen “Topçinjtë”

19/02/2014 00:00

Bayern Munchen ka mundur 2-0 Arsenal-in, në “Emirates”, duke siguruar në një farë mënyre kalimin për në fazën tjetër.

Një ndeshje me një ritëm shumë të lartë dhe me gjithçka brenda: nga rastet, te 11-metërshat e humbura nga të dyja skuadrat.

Në fillim Ozil, gabon duke goditur shumë keq penalltinë, që ndalet nga Neuer, ndërsa Alaba godet shtyllën, por gjithsesi ishte pikërisht ky 11-metërsh në favor të gjermanëve, që la Arsenal-in me 10 lojtarë, pasi portieri Szczesny del me të kuq.

Megjithatë, goli i avantazhit është një supergol i Toni Kroos. në fillimin e pjesës së dytë, për t’i lënë radhën Muller, të sapofutur në fundin e takimit.

Ndërkohë, Milan, edhe pse luan mirë, nuk e eviton dot humbjen ndaj Atletico Madrid, në Milano.

Kuqezinjtë dominojnë ndeshjen, kryesisht në pjesën e parë, ku Kakà godet edhe traversën, ashtu siç bën edhe Poli pak çaste me vonë.

Nga ana tjetër, skuadra e Simeone-s rrit ritmin dalëngadalë dhe, në pjesën e dytë, është Diego Costa që ndëshkon.

Gjithsesi, gjërat vështirësohen për kuqezinjtë në ndeshjen e kthimit, pavarësisht se bëhet fjalë për një humbje minimale. Për të mësuar se, cila nga këto dy skuadra do të kualifikohet për në çerekfinale, na duhet të presim 11 Marsin, për ndeshjen e kthimit.

Top Channel