NBA, James: Dua të jem më i miri i historisë

18/02/2014 19:15

“Dua të jem basketbollisti më i mirë i historisë dhe ky është objektivi për të cilin punoj përditë”.

LeBron James nuk la asnjë vend për keqkuptime, në një intervistë të publikuar në faqen zyrtare të NBA-së.

Dy herë kampioni i NBA-së është në fund të kontratës së tij me Miami Heats dhe kjo ka bërë që të qarkullojnë zëra për mundësinë e largimit, të cilat James i përjashtoi kategorikisht.

”Nuk mund ta imagjinoj veten jashtë Majemit. Megjithatë, ndërsa rinovimi do të jetë një çështje tjetër, tani jam i përqendruar vetëm tek ajo që dua të bëj dhe nga ajo që të tjerët presin që unë të bëj në fushën e lojës”, tha LeBron.

I pyetur për zhgënjimin më të madh të karrierës, LeBron risolli në kujtesë finalen e humbur të vitit 2011, kur triumfues dolën Dallas Mavericks të Dirk Nowitzkit.

”Qëndrova dy javë i mbyllur dhe i izoluar nga të tjerët. Ishte një goditje shumë e rëndë dhe pata nevojë për kohë për të kaluar zhgënjimin për mosfitimin e atij titulli, fitimi i të cilit dukej pothuajse si i detyrueshëm për ne”, shtoi LeBron, i cili së bashku me David Beckham është angazhuar për krijimin e një skuadre futbolli në Majemi.

Top Channel