
Një azilkërkues është vrarë dhe 77 të tjerë janë plagosur, gjatë natës së dytë të trazirave në qendrën e paraburgimit të emigrantëve në Papua New Guinea, të kontrolluar prej Australisë.
Ministri australian i Emigracionit, Scott Morrison, tha se lajmi për vdekjen e një azilanti në Ishullin Manus ishte “një tragjedi e madhe”.
Trazirat kanë nisur pasi disa të burgosur u arratisën përkohësisht nga qendra e paraburgimit, ditën e diel. Në ishullin Manus ndodhet njëri prej kampeve përtej detit të Australisë, ku mbahen deri në përpunimin e të dhënave azilkërkuesit, që duan të shkojnë në Australi.
Çështja e azilantëve është një problem tepër i ndjeshëm në Australi, pavarësisht numrit relativisht të vogël të emigrantëve të përfshirë në të.
Një raport mbi trendet e azilantëve i UNHCR-së për vitin 2012, bënte të ditur se Australia kishte marrë vetëm 3% të të gjithë aplikimeve për azil, në rang global në atë vit.
“Kjo është një tragjedi, por e dimë se ishte një situatë tepër e rrezikshme, ku njerëzit vendosën të protestonin në një mënyrë tepër të dhunshme, madje duke u përpjekur të dilnin jashtë qendrës dhe duke u vendosur në një rrezik më të madh”, është cituar të ketë thënë Morrison, nga agjencia e lajmeve AFP.
Ministri shtoi se një prej të plagosurve ishte në gjendje kritike për jetën, pasi kishte pësuar një frakturë në kafkë, ndërsa 22 të tjerë ishin duke marrë ndihmën e parë mjekësore.
Kushtet e këtyre kampeve, veçanërisht në Paqësor dhe në Nauru, kanë qenë subjekt i kritikave të ashpra nga agjencitë e OKB-së, por edhe nga grupet e të drejtave të njeriut.
Top Channel