Titulli i parë për të rinjtë e Milanit dhe Inzaghin

17/02/2014 19:10

Milani mund të jetë duke përjetuar një prej sezoneve më të këqinj të historisë, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për skuadrën e të rinjve.

Nën drejtimin e Filippo Inzaghit, kuqezinjtë e rinj fituan ditën e hënë një prej kupave më prestigjioze për moshat, atë të Viarexhos, duke mposhtur në finale 3-1, Anderlechtin e Rene Peeters.

Ndonëse belgët kaluan të parët në avantazh, një gol i Petagna në pjesën e dytë barazpeshoi rezultatin dhe në kohët shtesë, Fabbro dhe Mastalli i dhanë fitoren skuadrës ilitane.

Fitorja e këtij trofeu të rëndësishëm u komentua edhe nga presidenti i klubit dhe ish-kryeministri, Silvio Berlusconi.

“Jam shumë i kënaqur për fitoren në Kupën e Viarexhos dhe për faktin që emri i klubit tonë vendoset midis fituesve të këtij kompeticioni prestigjioz. Është një fitore, fryt i punës së palodhur të Inzaghit, Filippo Gallit dhe të gjithë stafit të sektorit të të rinjve. Shumë futbollistë që luajnë sot tek Milani dhe skuadra të tjera të Serisë A janë formuar në akademinë tonë dhe ky është një fakt që na mbush me shumë krenari”, komentoi Berlusconi.

Top Channel