ALDA BARDHYLI – Shpallja e pavarësisë së Kosovës gjashtë vite më parë
solli fundin e një kapitulli të trazuar në historinë e Ballkanit
Perëndimor dhe bëri të mundur një tranzicion me një të ardhme të
përbashkët europiane për popullin e Kosovës dhe fqinjët e tyre.

Deklarata e Pavarësisë, një nga momentet më emocionuese në historinë tonë si komb, ishte produkt i tre proceseve historike të ndërlidhura, të cilat nuk e paracaktojnë Deklaratën e Kosovës, por e ndihmojnë për të shpjeguar, shpërbërjen e Jugosllavisë, krizën e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe përgjigjen e Kombeve të Bashkuara.

Shpallja e Pavarësisë ishte një aspiratë e ndjeshme politike, e kërkuar me ngulm për më shumë se një shekull jo vetëm nga shqiptarët, por dhe fqinjët e tyre, që e shihnin shpesh atë si një “vullkan” që nëse shpërthente, mund të pushtonte rajonin. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Kosova ishte pengu i fundit i historisë së kësaj kolonie të madhe në rajon, i cili e shpagoi me shumë humbje, ndarjen (lufta e Kosovës, ende nuk dihet fati i shumë të zhdukurve).

Për të mbërritur tek 17 Shkurti i 6 viteve më parë, është një rrugëtim i gjatë, i mbushur me përpjekje të gjata diplomatike, fluturime të fshehta në kancelaritë europiane, pranime dhe humbje të cilat shqiptarët i pranuan për të mbërritur tek kjo ditë. Në këtë angazhim, Kosova nuk ka qenë vetëm. Kriza e dy dekadave të fundit e bëri SHBA-në një aleate të fuqishme të Kosovës, e cila mund të quhet dhe mentorja e pavarësisë.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari, nuk mund të harrohet lehtë nga shqiptarët, sidomos me fjalinë e tij se “opsioni i vetëm i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia”. Kjo ditë me erë shkurti, është një ditë ku shqiptarët duhet të përsërisin mirënjohjen ndaj SHBA-së dhe aleatëve të tjerë, të cilët bënë të mundur mbështetjen në një ëndërr të madhe.

As burri ku sytë poshtë syzeve i flisnin aq shumë, teksa prekte lehtë me dorë shallin, që e ktheu në simbol të rebelimit për pavarësi, Presidenti Ibrahim Rugova nuk mund të mos kujtohet sot. “Me varg në shpirt m’çeli pranvera. Desha t’jetoj gjithmonë i neshtë/ Më bëhet se do të vajtoj përhera/ Kur po hyj me të madhe në vjeshtë..” shkruante ai më një poezi më 1960, duke parandier vajin e gjatë, të misionit të tij, pa mundur të mbërrinte më 17 Shkurt të 2008-s.

Historia nuk do t’i harrojë personazhet dhe ngjarjet që çuan në këtë moment. Vendet që vijnë nga të kaluara të trishta e kanë historinë të mbushur me mirënjohje. E tillë do të jetë dhe ajo e Kosovës. Por, sot Kosova është 6 vjet shtet. Në këto vite, më shumë se njëqind vende nga më të fuqishmet në botë, e kanë njohur sovranitetin e saj, dhe sinjalet për njohje të reja nuk mungojnë.

Lobingu për zgjerimin e hartës së njohjeve është prioritet i diplomacisë së jashtme jo vetëm të Kosovës por edhe të Shqipërisë. Nëse 6 vite më parë, Serbia nuk e negocionte “pavarësinë e Kosovës”, duke e quajtur të njëanshme Deklaratën e Pavarësisë, në këto vite ajo ka pranuar të ulet në bisedime.

Nisja e negociatave të Serbisë me BE-në tregon, një qëndrim të kursit të Beogradit për sa i përket çështjes së Kosovës, dhe ky vit që sapo ka hyrë do të sjellë të reja në këtë terren. Megjithatë, Kosova mbetet sfida e Serbisë, një nga sfidat më të ndjeshme në historinë e saj si shtet. Të tjera janë sfidat e Kosovës, që duket sikur rriten bashkë me moshën e saj.

Sfida institucionale, politike, sociale, apo kulturore, që në këto 6 vite nuk kanë mundur t’u shpëtojnë krizave apo akuzave. Por pavarësisht kritikave që vijnë nga zëra brenda saj, ajo çfarë mbetet e ardhmja e Kosovës është BE. E për të mbërritur atje, ky katarsis i brendshëm duket se do të jetë i gjatë dhe i dhimbshëm, ashtu si pavarësia.

Por, sot është 17 Shkurt, një ditë që do na kujtojë gjithmonë mbylljen e një prej kapitujve më të trishtë në historinë moderne europiane, dhe Kosovës dhe Serbisë i kujton të shohin drejt së ardhmes, e cila ka vetëm një emër, Bashkimi Europian.

Gazeta “Shqip”

Top Channel