Gjashtë kilogramë kokainë e pastër, me një vlerë prej 3 milionë eurosh u bllokuan nga reparti antidrogë i rojeve Financiare të Lecces.

Është arrestuar një 23-vjeçar shqiptar që ndodhej brenda automjetit, një tir me rimorkjo, gjithsej 15 metra i gjatë, i sapo zbritur në Portin e Brindisit.

Elementi që shkaktoi dyshimin e forcave të rendit ishin targat: kamioni kishte targe shqiptare, ndërsa rimorkioja targe holandeze.

Automjeti, i parkuar në dalje të portit, pa dokumenta për ngarkesën e dukshme, një eskavator dhe goma të përdoruara, iu nënshtrua më pas një kontrolli të imët.

Në një fund të dyfishtë te rimorkios u gjetën 4 kg e 200 gr kokainë, e më pas qentë antidrogë zbuluan një tjetër pako pas një paneli në kabinën e shoferit.

Pas sekuestrimit të automjetit dhe të kokainës, po punohet tani për të zbuluar destinacionin e saj dhe rolin e të riut shqiptar të arrestuar në rrjetin e trafikimit të lëndës narkotike.

Deri tani ai ka deklaruar se nuk ka lidhje dhe se nuk ishte në dijeni të ngarkesës së fshehur, por kjo nuk e ka shpëtuar nga arrestimi. 

Top Channel