Juve vijon arratinë, Napoli e Roma përgjigjen

16/02/2014 00:00

Juventus mposht 3-1 Chievo-n, në “Juventus Stadium”, duke mbajtur të njëjtën distancë me Romën, ndjekësen më të afërt, që është duke fituar momentalisht ndaj Sampdorias.

Bardhezinjtë, pavarësisht disa mungesave, fitojnë falë golave në pjesën e parë të Asamoah (17’) dhe Marchisio (29’), por e nisin pjesën e dytë me një autogol të Caceres në minutën e 51. Gjithsesi, mendon Llorente për të mbyllur gjithçka kur kishin mbetur 13 minuta nga fundi i takimit.

Tashmë, Juventus ruan një mesatare të lartë shënimi, me 36 gola në 12 fitoret radhazi në shtëpinë e tij.

Napoli, në anën tjetër, e mbyll me fitore 2-0 transfertën ndaj Sassuolo-s, falë golit të Xhemailit (37’) dhe një magjie të Insigne (55’). Një sukses i merituar për skuadrën e Benitez, që dominojnë takimin nga fillimi dhe forcojnë pozitat në vendin e tretë, 6 pikë më shumë se Fiorentina, që u mposht të shtunën nga Inter.

Gjithsesi, ka edhe shqetësime për shkak të dëmtimit të Higuain, për t’u vlerësuar se në ç’masë, i cili u zëvendësua nga Pandev në fund. Për Sassuolo-n, kjo ishte humbja e 5 radhazi.

***

Pavarësisht fitores ndaj Chievo-s, trajneri i Juventus, Antonio Conte, reagon ndaj shumë gjërave… Duke nisur nga tifozët, të cilët vërshëllyen Giovinco-n. “Është e pakuptueshme për një skuadër, që prej 3 vitesh bën mrekullira, që disa lojtarë të sulmohen. Paralajmëroj këdo, që prek lojtarët e mi”, theksoi ai.

Conte u përgjigjet edhe kritikave të Capello-s: “Kam dëgjuar shumë, sidomos ndaj vendimeve të mia, por kam dëgjuar edhe disa të pavlera… Mban shumë erë e keqe te shtëpia e dikujt tjetër. Nga koha e tij nuk kujtoj ndonjë lojë mbresëlënëse, por gjithashtu edhe 2 tituj të hequr. Po, ka fituar 2 kampionate, por me atë skuadër të jashtëzakonshme që kishte, u eliminua në çerekfinalet e Champions”.

Më pas, vjen edhe një “zbutje” për mediat italiane: “Gjithsesi, ato dy tituj ishin plotësisht të merituar”…

Top Channel