Pak ndryshime, në fushën e ekonomisë, kanë ndodhur në gjashtë vitet e para të Pavarësisë së Kosovës.

Varfëria dhe papunësia mbeten shqetësimet kryesore për qytetarët e Kosovës, numri i të cilëve, viteve të fundit, është rritur dukshëm si azilkërkues në shtetet perëndimore.

Aferat korruptive, në të cilat janë të përfshirë zyrtarë të lartë institucionesh, i takojnë anës së errët të jetës në Kosovë.

Të shumta kanë qenë zhvillimet politike, si në aspektin e politikës së brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme.

Kosova, në gjashtë vite shtet, ndërroi katër presidentë, por qytetarët, në dy palë zgjedhje parlamentare, të manipuluara ose jo, nuk e ndërruan kryeministrin.

Dialogu politik me Serbinë, në të cilin po diskutohet fati i veriut të Kosovës, mbetet temë aktuale, që pashmangshëm shoqëroi jo vetëm bartësit e institucioneve, por edhe aktorë të tjerë të shoqërisë, pa përjashtim.

Në përvjetorin e gjashtë, numri 1 i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, flet për ditët e para të Pavarësisë, zhvillimet që karakterizuan jetën politike pas shpalljes, si dhe projektet për të ardhmen. Himni pa tekst i Kosovës do ta ketë tekstin e vet, – thotë kryeministri kosovar, – por një tekst që do të përcjellë mesazh integrues.

Përfundimisht do të ndërrohet misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në 15-vjetorin e çlirimit, FSK-ja do të quhet Forcat e Armatosura të Kosovës, si të gjitha shtetet sovrane, thotë kryeministri i Kosovës.

“Kam përvojë me procese të tilla, që nga themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj me vitin 1999 te transformimi i UÇK-së në trupën mbrojtëse të Kosovës, dhe në vitin 2008 me shpërbërjen e TMK-së dhe formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Por, ajo çka unë dëshiroj të konfirmoj edhe sot, përmes jush, për herë të parë para qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë njerëzve që na ndjekin, është se FSK është duke kaluar ditët dhe javët e fundit si e tillë, pasi në vijim do të quhen Forcat e Armatosura të Kosovës, siç ndodh për çdo vend sovran”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

Ngecjet në ekonomi, kryeministri Hashim Thaçi i arsyeton me angazhimin maksimal për procesin e dialogut, megjithatë thotë se edhe në këtë fushë ka mbajtur rritjen ekonomike në nivel të kënaqshëm.

Me Serbinë mbetet ende punë, siç është për shembull heqja e Kosovës nga kushtetuta e Serbisë, dhe në asnjë mënyrë një ligj kushtetutes, i cili do ta bënte Kosovën territor të Serbisë. Thaçi shprehet se Serbia nuk ka rrugë tjetër: sa më afër Bashkimit Europain, aq më larg Kosovës.

“Serbia do të bëjë ndryshime në Kushtetutën e vet dhe do të shlyejë çështjen e Kosovës nga preambula. Gjithashtu, do të shlyejë një herë e përgjithmonë dhe, kur kjo të ndodhë, në veçanti në kapitullin e 35 për integrimin europian që ndërlidhet për Serbinë, mendoj se do të fillojë edhe njohja formale për Republikën e Kosovës nga Serbia”, theksoi Hashim Thaçi.

Kritikëve, se veriut i është dhënë një autonomi e karakterit politik, me të drejta shtesë bashkëpunimi me Beogradin, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi iu përgjigjet se veriu tashmë ka marrë rrugën e integrimit në institucionet e Prishtinës.

Por, Thaçi pajtohet se është barrikada mbi lumin Ibër, e cila megjithatë përçon mesazhin e ndarjes.

Top Channel