Durrës, 5 trafikantë të arrestuar

16/02/2014 11:50

Pesë persona të armatosur janë kapur gjatë operacionit “Fundjavë”, teksa transportonin një sasi lënde narkotike me destinacion tregun ilegal të hashashit në qytetin bregdetar.

Pas një hetimi njëmujor, agjentët e antikrimit të organizuar arrestuan në flagrancë 5 shtetasit që po transportonin një sasi prej 50 kg kanabis sativa.

Bashkë me sasinë e drogës, policia sekuestroi dhe armët e gjetura, si dhe automjetin me të cilin po transportonin drogën e future në thasë.

Rreth orës 02.00 të së dielës u vendos masa e arrestit në flagrancë ndaj shtetasve Rozart Biba, 24 vjeç, Avni Tuda, 32 vjeç, Arjan Lika, 29 vjeç, Ramazan Gjoni, 47 vjeç, të katërt nga fshatrat e Shijakut, si dhe 25-vjeçari Denis Dulaj, me banim në Shkodër.

Të arrestuarit u kapën në segmentin rrugor Shijak-Durrës, teksa po lëviznin me një automjet tip Ford Galaxy.

Përveç thasëve me bimën e thatë narkotike, policia sekuestroi 5 armë zjarri, nga të cilat dy pistoleta me krëhërat me fishekë, një automatik model 56 me 130 fishekë, si dhe dy armë gjahu “Shot-Gun”.

Lënda narkotike rezulton të jetë mbjellë dhe kultivuar në fshatin Shetel të Shijakut dhe kishte si destinacion tregun e brendshëm të qytetit, për shitje të dozuar, kryesisht pranë shkollave të mesme dhe godinave universitare.

Top Channel