Qeveria, debat me shoferët e furgonëve

14/02/2014 00:00

Në një takim me përfaqësues të shoqatave të Transportit Ndërqytetas dhe atyre të autoveturave “8+1”, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se, vendimi për ndalimin e furgonëve të palicencuar, apo që abuzojnë me licencën, është një masë e domosdoshme për sigurinë e qytetarëve.

“Nuk ka asnjë tërheqje. Policia e Shtetit ka filluar që atë ditë dhe do të vazhdojë të ndalojë në mënyrë të menjëhershme, së pari, transportin ndërqytetas të furgonave pa licencë, dhe së dyti, transportin ndërqytetas të furgonave që abuzojnë me licencën taksi dhe që bëjnë linjë ndërqytetase me pasagjerë. Nuk mund të lejojmë që një furgon taksi të shkojë nga Tirana në Durrës me pasagjerë dhe të kthehet po me pasagjerë. Kjo është e patolerueshme. Madje, në qoftë se licencohet për taksi ‘8+1’ nuk mund të ketë 20 pasagjerë brenda”, tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Duke iu drejtuar automjeteve të licencuara, ministri i Transportit Edmond Haxhinasto kërkoi të sigurojnë udhëtim me standarde për qytetarët.

“Çdo qytetar shqiptar që hipën në taksi, duhet t’i ketë kushtet që ofron taksia. Të ketë taksimetrin, që ta dijë se sa do të paguajë, të ketë cilësinë e automjetit siç duhet ta ketë, të vendoset tarifa sipas ligjit”, theksoi ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto.

Sipas Ministrisë së Transporteve, numri i automjeteve “8+1” të licencuara është shumë herë më i lartë se i atyre “4+1”, në shkelje të ligjit që parashikon ruajtjen e raportit 1 me 10. Në këtë pikë, shoqatat e autobusëve denoncuan dhënien e licencave pa kriter nga ana e pushtetit vendor.

Në një takim, ku nuk munguan edhe tonet e ashpra, përfaqësuesit e autoveturave “8+1” kërkuan rishikimin e ligjit për kthimin e automjeteve.

Duke theksuar se po abuzohet jo pak, me faktin se mjetet e tyre përbëjnë rrezik për sigurinë e qytetarëve, ata kërkuan t’i jepet fund informalitetit në këtë sektor.

Top Channel