Podolski: I penduar që lashë Bajernin

12/02/2014 19:35

Sulmuesi i Arsenalit, Lukas Podolski, pranoi se ka bërë gabimin e jetës kur vendosi që të largohej nga Bajerni për tek Këlni në vitin 2009.

Futbollisti i kombëtares gjermane kaloi në “Allianz Arena” nga Këlni në vitin 2006, por vendosi të rikthehej në klubin ku u formua tre vjet më pas, pas një sezoni në të cilin qëndroi më shumë në stol dhe regjistroi vetëm 14 ndeshje si titullar në Bundesligë.

Pas një sezoni të parë mediokër, Këlni u rrëzua nga kategoria në sezonin e dytë dhe Podolski u detyrua të ndërronte përsëri skuadër, duke kaluar në Londër, tek Arsenali.

“Nga një pikëpamje sportive, kthimi im tek Këlni nuk ishte shumë i dobishëm për karrierën time”, tha Podolski, në një intervistë për “Bild”.

“Mendoj se do të kisha qëndruar ende tek Bajerni, sikur Jupp Heynckes të kishte mbërritur në klub dy javë më parë. Më kanë thënë që ai me të vërtetë më donte në ekip”.

Për 28-vjeçarin u përfol një kalim tek Schalke në merkaton e Janarit, por në intervistën e tij, Podolski theksoi se rikthimi në Bundesligë nuk ka qenë kurrë një mundësi e mirëfilltë. “Ishin vetëm thashetheme dhe nuk kishte asgjë të vërtetë në të. Trajneri Wenger ka konfirmuar se më dëshiron në skuadër. Dhe me sa di unë, nuk ka pasur asnjë kontakt të mirëfilltë”, shtoi Podolski.

Sulmuesi, i cili shpreson të fitojë një vend në kombëtaren gjermane që do të luajë në Botërorin e Brazilit, ka një kontratë me Arsenalin deri në vitin 2016.

Top Channel