ALEKSANDËR ÇIPA – Një ndër emisionet me audiencë të lartë të kësaj jave,
do të mbetet ai i koleges Rudina Xhunga, “Shqip” në Top Channel, i cili
bazohej në një tri-in memoriam për artistët zemërfikur Vaçe Zela,
Ibrahim Madhi dhe usta Laver Bariu.
Artistë dhe studiues të njohur si Zhani Ciko, Vasil Tole, Petrit Malaj, Irma Libohova, Shpresa Gashi, Bujar Kapexhiu etj., në këtë panel përcollën jo vetëm vlerësimet në formën klasike për yjet e fikur të artit dhe muzikës shqiptare në fjalë, por sollën edhe fragmente refleksioni social për raportin antagonist: vlerë – shpërblim ekonomik e social në relacionet shtet – artist.
Ky antagonizëm që vijon të mbretërojë si një dramë padrejtësie ndaj komunitetit dhe sidomos më të shquarve të artit dhe kulturës shqiptare, u cek në këtë emision. Është ajo pjesë e cila i mbishtohet ndjenjës dhe prekjes shpirtërore për humbjen e qenies fizike të artistëve. Kjo mbivendosje e ripërsëritur është një histori e tejzgjatur në kohë dhe ka lidhje me shumicën e personazheve dhe protagonistët e kulturës, artit dhe mjeshtërisë shqiptare në gjithë kuptimin e fjalës. Lëndimi social për trajtimin fyes të tyre në aspektin financiar vihet re dhe evidentohet publikisht, fatkeqësisht në mënyrë të pjesshme ose në momentet kur ata e lënë jetën e frymtë, ose kur rastësisht ndeshen me ndonjë reporter apo ndonjë reagim shpërthyes të ndonjërit prej artistëve që tejkalon rebelimin brenda vetes. Asnjë prej reporterëve shqiptarë të kulturës nuk e ka ditur gjer në çastin që instrumentisti virtuoz me famë të posaçme në Itali, Olen Çezari, ka qenë misionari i shumëpërpjekur që institucionet e BE-së në Parlamentin Europian t’i akordonin një shpërblim të posaçëm Laver Bariut. Madje Oleni shkroi këto ditë në FB: “Laver Bariu… një nga artistët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria… e lanë të vdesë pa asnjë lloj shpërblimi jo vetëm… kishte një pension normal me të cilin asnjë njeri nuk jeton dot në Shqipëri… iku si Moxarti… pa një lek, por me shpirtin plot! …do ngelesh në zemrën time usta Laveri! dhe në zemrën e të gjithë shqiptarëve…”
Por kjo është një çështje e cila mbetet e hapur, përderisa zgjidhjet e saj mbesin gjithmonë e më të mërguara e më të largëta për qeverisësit. Diçka tjetër më ngacmoi në emisionin “Shqip”. Artisti dhe karikaturisti i dashur Bujar Kapexhiu, spontanisht, duke dashur të shprehë oponencën e vet për tëhuajzimin pa të drejtë të emrave të huaj e të pavend për emërtimin e institucioneve kulturore shtoi se: Do të ishte më mirë që estrada e dikurshme e Tiranës të mbante emrin e Skënder Sallakut e jo të quhet në mënyrë absurde “Teatri i Metropolit”. Konstatimi në dukje është i drejtë dhe meritokratik në raport me artistin që u fik po atë ditë të emisionit, pra artisti i famshëm Skënder Sallaku. Mirëpo kjo është një oponencë spontane, kohëhumbur për të gjetur destinacion dhe për të zënë vend. Emërvënësit e “Teatrit të Metropolit” kanë pasur arsye të mirëmenduara për këtë pagëzim, për të cilat artisti në fjalë nuk ka kryer ndonjë interesim për t’u informuar. Në këtë moment, vërejtja e zotit Kapexhiu, vjen pas një kohe faktkryer. Kritika të tilla ngjasin shpesh në debatet publike dhe në hapësirën e shprehjes së lirë. Por këto vlejnë si debat e nuk marrin vlerën vendgjetëse. Sepse janë kritika që bëhen pas faktit të kryer. Vetë artistët që jetojnë e punojnë në institucione të tilla e humbasin mundësinë apo e lënë kohën falë indiferencës së tyre të ndodhin emërtimet e diskutueshme.
Dekada më parë kur në Gjirokastër ngjau t’i vënë Teatrit të Gjirokastrës emrin e studiuesit dhe hulumtuesit të folklorit, të ndjerit Zihni Sako, një ndër aktorët e njohur dy ditë më pas sillte një fabul-barsoletë si kafe mëngjesi për kolegët e vet: Sikur në ëndërr kishte takuar të nderuarin xha Zihni dhe sikur ai e pat pyetur se ku e kishte parë aktorin dhe midis tyre vijonte ky dialog: Në teatër xha Zihni, në teatër të Gjirokastrës, i cili tashmë mban emrin tënd. Dhe xha Zihniu sikur iu gjegj: Po ç’ne në teatër unë mor djalë, unë me përrallat jam marrë!
Mirëpo emërtimet në kohën e dikurshme konsultoheshin nga institucionet dhe titullarët mbi kriteret ekstra-artistikë dhe kulturorë apo meritokratikë, duke dalë në plan të parë kriteri ideologjik dhe besnikëria monopartiake. Ndërsa në kohën plurale, të tjera kritere janë parësore. Kësi kriteresh jo gjithmonë konsultohen dhe bëhen pjesë e konsultimit komunitar dhe mes profesionistësh. Absurditete të tilla si dikur, ngjet të ripërsëriten edhe në kohën e sotme. Shumë prej artistëve dhe bashkëkohësve të regjisorit antikonformist Spahivogli, nën zë shprehen se “ç’ne Teatri Kombëtar i Komedisë me emrin e Spahivoglit!” Aq më tepër që jeta e tij artistike ishte një tragjedi më vete! Por një kritikë dhe oponencë e tillë emërtuese nuk vlen e nuk ka arsye të përfshijë apo pushtojë debatin shterpë kulturologjik shqiptar, pasi ka ngjarë. Sikundër ngjet që kësi oponencash në kohën e vonuar apo të tejkaluar, nuk fitojnë vetëm vlerë komike, por shkaktojnë dhe mund të tejçojnë edhe kosto penalizuese për vlerësimin ndërkombëtar të vlerave të trashëgimisë dhe kulturës shqiptare. Pak muaj më parë një letër me shumë nënshkrues, emra të njohur e të respektuar të mendimit dhe investimit kulturor shqiptar, në formë peticioni i drejtohej ministrit të Kulturës për të ndryshuar emërtimin e “Isopolifonisë” në “Polifoni”. Kërkesa në brendinë e vet është ndoshta e drejtë, por kostoja dhe pasoja që sjell një peticion i tillë në kohën kur kjo “kryevepër shqiptare e njohur nga UNESCO si vlerë e trashëgimisë botërore”, mund të jenë fatale. Mentaliteti i pakohësisë dhe spontanitetit shqiptar nuk është as fragment dukurie e as e rastësishme në praktikën vlerësuese të institucioneve kulturore ndërkombëtare. As që mund të perceptohet prej tyre që një dukuri dhe vlerë autentike me vlerë globale, të riemërtohet sepse një grup i madh studiuesish në vendin së cilës i përket kjo vlerë, qenka kujtuar paskëtaj ta ripagëzojë terminologjikisht. Kjo është një marrëzi tipike shqiptare, e cila fatmirësisht mbeti e ndërprerë dhe e paçuar më tej. Oponenca kulturore të tilla kohëhumbura, në raport me faktin e kryer, ndëshkojnë së pari kulturën shqiptare. Kësi oponencash spontane tradhtojnë ndërgjegjen e elitës dhe komunitetit artistik e kulturor në vend, në raport me përgjegjësinë ndaj bashkëkohësisë dhe kohës që vjen.
Top Channel