Higuain: Dua të përsëris suksesin e Maradonës

12/02/2014 00:00

Gonzalo Higuain ka shprehur dëshirën e tij për të fituar Botërorin me Argjentinën dhe kampionatin italian me Napolin, duke përsëritur kështu sukseset e të madhit Diego Armando Maradona.

Në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’, sulmuesi deklaroi se për këtë sezon do të kënaqet thjesht me vendin e dytë në Serinë A.

“E dimë që lufta me Romën do të jetë e vështirë, por do të përpiqemi të kapim vendin e dytë meqë Juventusi është shumë larg (13 pikë)”, tha ish-lojtari i Realit.

“Është një moment i rëndësishëm për karrierën time. Kam 8 vite që luaj në nivelet më të larta dhe ndihem mirë fizikisht”, deklaroi Higuain.

A mund të jetë Higuain një Maradona i ri për tifozët e Napolit?

“Unë nuk e ndjej këtë përgjegjësi, por dua shumë që të fitoj Botërorin dhe kampionatin italian ashtu siç bëri ai. Në fillim fitoi Botërorin në Meksikë në vitin 1986 dhe një vit më vonë lumturoi tifozët napoletanë me titullin e Serisë A. Do të ishte maksimumi po ta bëja edhe unë këtë gjë.”

Top Channel