SMS-ja e Mitros për Dervishin

10/02/2014 00:00

Ata të dy kanë dhënë deklarata kontradiktore për njëri-tjetrin. I pandehuri Marjon Mitro këmbëngul se e ka mik prefektin e Vlorës, Besnik Dervishi dhe shok Julian Sinanin dhe thotë se nuk e kupton përse po i adresohen akuzat për të cilat është arrestuar.

Prefekti Besnik Dervishi ka pohuar për herë të tretë se nuk e njeh aspak biznesmenin Mitro e për pasojë nuk bën asnjë lidhje se përse i është vendosur C4 poshtë automjetit.

Por grupi i hetimit duket se po tenton të hedhë dritë pikërisht në këto deklarata që përplasen me njëra-tjetren, pasi besojnë se nga të dhënat që mund të dalin prej tyre mund të zbulohet edhe motivi se përse vlonjati Mitro kërkonte të shpërthente automjetin e prefektit.

Në vijim të veprimeve hetimore, nga tabulatët telefonikë, prokurorët e Krimeve të Rënda kanë zbuluar se katër ditë përpara se të arrestohej, Marjon Mitro i ka dërguar një mesazh prefektit me këkersën “dua t’ju takoj për një problem”.

Prefekti nuk i ka kthyer asnjë përgjigje, thonë prokurorët, ndërkohë që në fund të mesazhit Mitro ka vendosur edhe emrin e mbiemrin. Prokurorët e Krimeve të Rënda pritet që gjatë javës të pyesin Mitron për qëllimin e këtij mesazhi, por edhe për të marrë një version të tijin për ngjarjen që akuzohet.

Ndërkohë që Dervishi nga ana e tij pretendon se e ka parë mesazhin dy ditë më vonë dhe nuk i është përgjigjur pasi nuk e njihte dërguesin. Por një tjetër detaj interesant që i ka bërë prokurorët të mendohen është data kur është nisur mesazhi.

Prokurorët thonë se mesazhi me kërkesën për t’u takuar është dërguar pikërisht ditën kur është arrestuar i dyshuari si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj, që është pikërisht edhe njeriu që Mitro e pagoi për eksplozivin C4 që u vendos në automjetin e prefektit Dervishi.

Top Channel