Moratti: E kam mundësinë të rimarr klubin

10/02/2014 23:40

“Nuk ekziston, por në çdo kontratë ka klauzola të tilla që, nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet, do të kem mundësinë dhe detyrimin për ta rimarrë klubin. Në çdo rast, nga sa kam folur me Thohir, nuk besoj se kjo gjë mund të ndodhë”.

Këto janë fjalët e Massimo Moratti-t, në lidhje me atë që konsiderohet si “klauzola e tifozëve”, gjë që është shprehur publikisht gjatë nderimit me çmimin “Personazhi i vitit”, një mirënjohje e dhënë nga Grupi Lombard i Gazetarëve Sportiv.

Por, një ditë pas fitores së Inter, 1-0 ndaj Sassuolo, duke gjetur disi qetësinë e munguar, i ka takuar pikërisht presidentit të nderit të sqarojë kuadrin e zërave në shtëpinë zikaltër. Gjithsesi, fjalët e tij lënë diçka për t’u nënkuptuar.

Si për shembull, pankartat kundër disa drejtuesve, që shoqëruan mbrëmjen e së dielës.

“Kontestimet? Tifozët nuk kanë mbajtur anën tonë, as në kohën e Calciopoli-t”. Diçka që, e thënë nga personi i cili ka luftuar më shumë se kushdo – dhe vazhdon ta bëjë kur i jepet rasti – betejën ndaj Calciopoli-t, përbën një akt akuze.

Më pas flet për Mazzarri-n, që Moratti e kërkoi me ngulm tek Inter, për të cilin kritikat janë shtuar së tepërmi gjatë 2 muajve të fundit. A pritej më shumë nga Mazzarri?

Përgjigja vjen e prerë: “Ndoshta edhe Mazzarri priste më shumë nga klubi dhe lojtarët. Sigurisht që për ta, skuadrën dhe trajnerin, ka qenë disi e vështirë rikuperimi nga trauma e ndryshimit në shoqëri. Por, po përpiqen të ndryshojnë”.

Sa i përket kapitullit Thohir: “I këshilloj që të mbajë pas vetes, persona ndaj të cilëve ka 100% besim. Vetëm kështu do të mund t’i transmetojnë besimin e tij skuadrës, që në fakt ka shumë nevojë për këtë gjë”. Ndërsa për të, si individ, apo si pasardhësin e tij: “Një këshillë e vlefshme do të ishte qëndrimi më pranë, fizikisht, ndaj shoqërisë dhe skuadrës”.

A janë tifozët mirënjohës? “Nuk prisja mirënjohje nga ana e tifozërisë, pasi tifozeria është kjo që shohim. Fakt është që tashmë nuk jam më president dhe nuk ndiej më përgjegjësi të plotë. Jam më i çliruar, por vuaj gjithnjë për Interin”. Më pas shton: “Gjithsesi, u qëndroj pranë tifozëve, pasi edhe ata vuajnë, madje vuajnë shumë”.

Në lidhje me kapitullin Branca: “Më vjen shumë keq, ka qenë një drejtues i nivelit të lartë për 10 vjet dhe së bashku kemi ndarë të gjitha zgjedhjet, për mirë dhe ato më pak të mira, por mbi të gjitha një tufë me triumfe. Por, është normale që kur vjen një grup i ri drejtuesish, do të ketë ndryshime. Megjithatë, kjo nuk ia ul vlerat dhe kualitetet Marco Branca-s”.

Top Channel