Klosi: Situatë e rënduar e rrugëve

09/02/2014 00:00

Turi i inspektimeve të kryeministrit Edi Rama në kantieret e rrugëve ka shkaktuar reagimin e opozitës sipas së cilës qeveria aktuale, në mungesë të investimeve të saj, po përpiqet të fshihet pas atyre të mëparshme.

Por, Partia Socialiste ka reaguar përmes deputetit dhe sekretarit organizativ Blendi Klosi, i cili ka theksuar se qeveria aktuale ndodhet përpara një sfide të rëndësishme e cila, siç ai theksoi, është të ringrejë në këmbë një sistem të tërë investimesh rrugore të papërfunduara dhe të ndërtuara me cilësi të dobët dhe pa standarte, duke u bërë edhe rrezik për përdoruesit e saj.

“Do ishte shumë mirë sikur qeveria dhe Edi Rama t’i kishin gjetur të përfunduara këto rrugë dhe të mos gjenin malin me borxhe që i mbante të bllokuara të gjitha rrugët e lëna në mes të rrugëve. Do ishte mirë sikur të paktën këto projekte të ishin bërë me standarte europiane dhe paratë e shqiptarëve të mos ishin bërë “rrush e kumbulla” për shirita rrugësh që mund të quhen vetëm shtigje aksidentesh. Por, fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu dhe qeveria e kryeministri duhet të merren në radhë të parë me ndreqjen e gabimeve të rënda politike e financiare që janë bërë me kantierin e infrastrukturës”, tha Klosi.

Sipas zotit Klosi, shembulli më tipik i funksionimit të opozitës aktuale është ai që lidhet me kreun aktual të saj, sa i takon Rrugës së Elbasanit në hyrjen e saj në kryeqytet.

“Mjafton të shohësh këtë rrugë. Kryebashkiaku i premtoi qytetarëve se nuk do të merrej me politikë, por vetëm me qytetin, por jo vetëm që nuk e mbajti premtimin, por i ra me top Bashkisë për t’u bërë top i Saliut në parti. Kjo arterie kryesore e Tiranës u la për dy vjet si gërmadhë e tani thonë “mos e prekni atë rrugë se e kemi nisur dhe donim ta bënim ne”. Askush nuk mund të marrë seriozisht këta njerëz të dështuar.”

Reagimi i Partisë Demokratike

Pas këtyre deklaratave, reagoi edhe Partia Demokratike duke theksuar se qytetarër e Tiranës nuk e harrojnë “të djeshmen e betonit klientelist dhe të sotmen e bllokimit të buxhetit të banesave sociale”.

“Për turpin e tij, kryesocialisti nuk gjeti sot një minutë kohë t’u shprehë ngushëllime familjarëve të viktimave të aksidenteve të djeshme tragjike. Për faqen e tij të zezë e përdori tragjedinë për të sulmuar opozitën e Bashkinë. Ish kryebashkiakut i kujtojmë se qytetarët e Tiranës nuk harrojnë as të djeshmen e betonit klientelist dhe as të sotmen e bllokimit të buxhetit të banesave sociale. Nuk e fsheh dot përgjegjësinë për krizën ekonomike dhe të sigurisë ku e ka futur vendin me pusulla antiopozitare dhe luftën politike që i ka shpallur Bashkisë së Tiranës dhe opozitës.”

Top Channel