Dy të plagosur në gjendje të rëndë

09/02/2014 00:00

Dy prej të plagosurve në aksidentin e Kukësit vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Pavarësisht operacioneve disaorëshe, dy prej tyre vazhdojnë të kenë gjendje kritike.

Artan Distafa, zv/drejtori i Spitalit Ushtarak, deklaron: “Të shtunën, në spitalin tonë janë paraqitur 4 persona të plagosur nga aksidenti automobilistik i Kukësit. Ata janë Petrit Mustafa, Hyjrie Kovaçi, Xhevahir Cuni dhe Rustem Biba. Me përjashtim të pacientes Hyjrie Kovaçi, e cila është jashtë rrezikut dhe në gjendje të mirë shëndetësore, tre të sëmurët e tjerë janë në gjendje të rëndë, dy prej të cilëve janë paraplegjikë: Petrit Mustafa dhe Rustem Biba. Petrit Mustafa dhe Xhevahir Cuni janë në gjendje kome.”

Një nga të mbijetuarat e aksidentit, e cila është në gjendje të mirë shëndetësore, thotë se automjeti nuk ishte me shpejtësi dhe se me këtë linjë udhëtonte shpesh.

Shpërthimi i bombës. Mjekët: Gjendja e përmirësuar, së shpejti do të lënë spitalin

Nëndrejtori i Spitalit Ushtarak shpjegon edhe gjendjen shëndetësore të fëmijëve të plagosur një ditë më parë nga një shpërthim granate në fshatin Vrion të Fushë-Krujës. Sipas tij, gjendja e tyre është e mirë dhe së spejti do të dalin nga spitali.

“Gjendja e 3 fëmijëve është relativisht e mirë. Kanë marrë plagë të lehta në ekstremitete.”

Top Channel