Nuk kanë të ndalur aksidentet e rënda nëpër rrugët e vendit këtë fundjavë, me bilanc si të një lufte.

Pas 11 të vdekurve në Kukës dhe Sarandë të shtunën, 9 persona u plagosën të dielën në një tjetër aksident rrugor në komunën Luzni, në Dibër.

Një automjet tip furgon, me 9 pasagjerë, rrezikoi të përfundonte në greminë për shkak të motit të keq dhe lagështirës në rrugë.

Drejtuesi i mjetit, pasi konstatoi se sistemi i frenimit nuk funksiononte në një vend me shumë pjerrësi, për të parandaluar rrëzimin e automjetit në lumit Drin, manovroi duke goditur një shpat kodre.

Për pasojë, të gjithë pasagjerët pësuan dëmtime, përfshi edhe një foshnje 4-muajshe, e cila u dërgua me urgjencë për në Tiranë. Sipas mjekëve, të plagosurit janë të gjithë jashtë rrezikut.

Shmanget kështu tragjedia e radhës në rrugët e përgjakura që prej ditës së shtunë, kur u shënuan 11 viktima dhe disa të plagosur në gjendje të rëndë.

Rastet e ditës së shtunë ishin ato të aksidentit automobilistik të ndodhur në aksin rrugor Shishtavec-Kukës, ku 6 persona u ndanë nga jeta dhe 7 të tjerë u plagosën, me një furgon të linjës nga fshati Shtrezë drejt qytetit të Kukësit, si dhe aksidenti tragjik në aksin nacional Sarandë-Qafë Botë, ku dy mjete u përplasën me njëri-tjetrin në vendin e quajtur Ura e Bogozës, si pasojë e të cilit u shënuan 5 viktima.

Top Channel