Socchi, medalja e parë shkon për SHBA

08/02/2014 00:00

Medalja e parë e artë në lojërat olimpike dimërore në Sochi, që nisën një ditë më parë me një ceremoni madhështore, shkoi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sage Kotsenburg fitoi medaljen e artë në snoubord, duke lënë pas norvegjzin Staale Sandbech dhe kanadezin Mark McMorris.

Lojërat olimpike të Socchi-t janë më të shtrenjtat në histori. 50 miliardë dollarë janë shpenzuar nga autoritetet ruse për organizimin e tyre. Olimpiada e Londrës 2 vjet më parë kushtoi ‘vetëm’ 15 miliardë. Ekspertët thonë se janë shpenzuar mjaft para për masa të pashembullta sigurie, me qëllim parandalimin e sulmeve terroriste.

100 mijë policë, ushtarë e agjentë sekretë, kanë zbarkuar në pikën turistike. Forcat e sigurisë kanë shkuar derë më derë, sipas disa raporteve në media, në kërkim të personave të dyshuar, ndërsa hyrja e automjeteve nga jashtë Socchi-t nuk lejohet.

Masat vëzhguese mbërrijnë deri aty, sa t’i mundësojnë autoriteteve ruse të dëgjojnë menjëherë çdo lloj komunikimi në qytet, e madje e kanë dhe aftësinë të ndërhyjnë dhe ta pengojnë, nëse e konsiderojnë të arsyeshme.

Në këto lojra merr pjesë edhe vendi ynë, për herë të parë me 2 sportistë, që janë skiatorët Erjon Tola dhe Suela Mëhilli. Tola do të garojë në datat 19 dhe 22 Shkurt, ndërsa Mëhilli në datat 18 dhe 21 Shkurt.  

Top Channel