Marco Branca largohet nga Interi

08/02/2014 00:00

Marco Branca nuk është më Drejtor Teknik i Interit. Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi zikaltër në faqen zyrtare në internet.

Në komunikatë thuhet se palët kanë zgjidhur me marrëveshje kontratën e tyre dhe se pozicioni i lënë bosh prej Branca-s do të plotësohet nga Piero Ausilio, që njëkohësisht mban edhe postin e Drejtorit Sportiv.

“Shoqëria falenderon Marco Branca për kontributin e dhënë si futbollist dhe më vonë si drejtor i Interit dhe i uron suksese në karrierën e tij. Nga ana e tij, Branca falenderoi shoqërinë për mundësinë e dhënë në gjithë këto vite dhe i uron një të ardhme plot me suksese”, thuhet në komunikatën e Interit.

Marco Branca, 49 vjeç është bërë për herë të parë pjesë e skuadrës së Interit në vitin 1996 si futbollist, ku luajti deri në 1998. Në 2002 rikthehet tek zikaltërit por si drejtues i merkatos. Goditjet e tij më të mëdha janë Lucio, Diego Milito, Thiago Motta, Wesley Sneijder dhe Samuel Eto’o, emra që i dhanë Interit tripletën në vitin 2010.

Top Channel