Forcat e ushtrisë kanë nisur të shtunën një aksion për pastrimin e
territorit në pikat kufitare në Han të Hotit, Murriqan dhe akset
nacionale në veri të vendit.

“Filluam që në mëngjes në pikat kryesore hyrëse të Shqipërisë. Do të vijojmë edhe me aksion kryesor që lidh veriun e Shqipërisë deri në ultësirën perëndimore, deri në Lezhe dhe Milot”, tha gjeneral Major, Jeronim Bazo.

Mbi një mijë forca të ushtrisë dhe rreth 80 automjete kanë nisur aksionin për pastrimin e territorit në akset nacionale  kryesore që lidhin veriun e vendit me kryeqytetin. Gjeneral Major Jeronim Bazo shprehet se ky operacion  civilo-ushtarak ka si qëllim përveç pastrimit të territorit edhe sensibilizimin e qytetarëve që të bashkohen në nisma të tilla për të mbajtur pastër Shqipërinë.

“Shqipëria është e të gjithëve, ta mbajmë atë të pastër dhe në këtë rast ju bëj thirrje të gjithë komunitetit të na ndjekë në këtë mesazh për ta mbajtur të pastër vendin tonë”, tha Bazo.

Aksioni i forcave të ushtrisë do të vazhdojë deri në pastrimin e plotë të territorit në zonat kufitare, të cilat janë dhe zonat e para, që prezantojnë Shqipërinë tek të huajt që hynë në vendin tonë.

Ndërkohë, pas Shkodrës forcat e ushtrisë kanë vijuar aksionin e pastrimit edhe në qytetin e Lezhës. Në të dyja anët e rrugës nacionale janë hequr mbeturinat dhe inertet e hedhura pa kriter në çdo cep.

Superstrada dhe rrugët dytësore ishin në fokus të këtij aksioni. Ushtria ka angazhuar në Lezhë 300 forca të mbështetura edhe me mjete të rënda. 

Top Channel