Nisin Lojrat Dimërore në Sochi

07/02/2014 00:00

50 miliardë dollarët e shpenzuar nga autoritetet ruse i bëjnë Lojrat Dimërore të Sochi-t më të shtrenjtat në histori. Olimpiket Verore të Londrës, 2 vjet më parë, kushtuan 15 miliardë. Ekspertët thonë se janë shpenzuar mjaft parà për masa të pashembullta sigurie, me qëllim parandalimin e sulmeve terroriste.

100 mijë policë, ushtarë e agjentë sekretë, janë dislokuar në pikën turistike. Forcat e sigurisë kanë shkuar derë më derë, sipas disa raporteve në media, në kërkim të personave të dyshuar, ndërsa hyrja e automjeteve nga jashtë Sochi-t nuk lejohet.

Masat e survejimit mbërrijnë deri aty, sa t’i mundësojnë autoriteteve ruse të dëgjojnë menjëherë çdo lloj komunikimi në qytet, e madje e kanë dhe aftësinë të ndërhyjnë dhe ta pengojnë, nëse e konsiderojnë të arsyeshme.

Kërcënimi kryesor vjen nga grupe separatiste dhe xhihadiste në Kaukazin Verior, veçanërisht nga Çeçenia dhe Dagestani, rreth 500 kilometra larg Sochi-t. Disa grupe janë zotuar t’i ndërpresin lojrat. Një prej këtyre grupeve mori përgjegjësinë për dy shpërthime vetëvrasëse nga fundi i Dhjetorit në Volgograd, ku gjetën vdekjen mbi 30 persona.

Por, edhe pse kërcënimi i terrorizmit është real, kritikët mendojnë se organizatorët e eventit po përpiqen të befasojnë botën me Lojrat më të mëdha Dimërore të organizuara ndonjëherë. Ata i quajnë “Lojrat e Putin” me përmasa megalomaniake.

Në këto lojra merr pjesë edhe vendi ynë, për herë të parë me 2 sportistë, që janë skiatorët Erjon Tola dhe Suela Mëhilli. Tola do të garojë në datat 19 dhe 22 Shkurt, ndërsa Mëhilli në datat 18 dhe 21 Shkurt. 

Shumica e raportimeve, sa i takon këtyre lojrave, janë fokusuar te shifrat rekord të pjesëmarrjes së atletëve, numri i disiplinave ku konkurrojnë dhe, sigurisht, edhe kostoja totale. Olimpiket e Vankuverit në 2010-n patën një buxhet prej vetëm 5,5 miliardë eurosh.

Për t’iu përgjigjur valës së kritikave ndaj qëndrimit të ashpër të tij, sa i takon disidentëve politikë, Vladimir Putin urdhëroi ngritjen e një zone të posaçme proteste në periferi të Sochi-t, ku mund të zhvillohen demonstrata, për të cilat është marrë më parë leja e autoriteteve.

Edhe amnistia e disa të burgosurve politikë, përpara Krishtlindjes, përfshirë faljen e ish-manjatit të naftës, Mikhail Khodorkosvki, u pa si ofensivë joshjeje e minutës së fundit nga ana e presidentit të Rusisë.

Top Channel