Ekipi i Beckham në Miami, ndoshta në 2017-n

07/02/2014 00:00

Ekipi i ri i David Beckham në Miami nuk do të zbresë në fushat e blerta, të paktën deri në vitin 2017, bën të ditur një investitor miliarder për projektet ambicioze, duke i dhënë një goditje shpresave për një fillim më të shpejtë.

Sipërmarrësi bolivian, Marcelo Claure, një nga partnerët kryesorë në lëvizjen e Beckham drejt zotërimit të një ekipi futbolli në SHBA, thotë se është thjesht një punë kolosale për t’u bërë, për të krijuar një ekip nga koka e deri te këmbët.

Ka pasur shpresa të mëdha mes komunitetit futboll-dashës në Miami, ku sportdashësit nuk kanë pasur mundësinë e pasjes së një ekipi futbolli të nivelit të lartë për më shumë se 1 dekadë, se franshiza ende e paemëruar mund të ishte gati në vitin 2016.

“Do të duhen 3 vjet, minimalisht 3 vjet, pra ndoshta do të jetë viti 2017”, tha Claure, pasi Beckham konfirmoi se do të rikthejë futbollin në Miami të Floridës. “Kjo është ideja jonë, nëse gjithçka do të shkojë ashtu siç shpresojmë”.

Beckham, Claure dhe ekipi i tyre i aksionerëve, ku përfshihen gjithashtu edhe sipërmarrësin e muzikës pop dhe televizioneve në Britani, Simon Fuller, raportohen të kenë paguar rreth 25 milionë dollarë për një franshizë futbolli në “Major League Soccer”, siç quhet kampionati amerikan i futbollit.

“Objektivi ynë është për 3 vite, sepse jemi duke krijuar një ekip futbolli nga themelet”, tha Claure për reporterët. “Na duhet të zgjedhim trajnerët, duhet të përfshijmë komunitetin, duhet të zgjedhim individët, fanellën, por mbi të gjitha duhet të bindim emra të mëdhenj lojtarësh, që të vijnë të luajnë për ne”.

Top Channel