Mourinho: Mazzari-Seedorf meritojnë besim

06/02/2014 00:00

Trajneri i Chelsea, Jose Mourinho, iu rikthye përvojës së tij në Serinë A, duke thënë se trajnerët Ëalter Mazzari dhe Clarence Seedorf do të kenë nevojë për kohë për të rikthyer kohët e lavdishme në qytetin e Milanos.

Si Interi dhe Milani po përballen me një prej sezoneve më të dobët të historisë së tyre në kampionatin Italian, por sipas trajnerit portugez, arsyeja e vetme për këtë gjendje është mungesa e cilësisë në të dy klubet.

“Mendoj se Mazzari dhe Seedorf kanë nevojë për kohë dhe mbështetje nga klubet e tyre e tifozët”, deklaroi Mourinhos në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.

“Le të tregohemi të sinqertë, asnjëra nga skuadrat nuk ka shumë futbollistë të mëdhenj në përbërje. Unë jam një tifoz i Interit dhe do të jem gjithmonë, e mendoj se Mazzari e meriton besimin e klubit. Pa dyshim, si interist nuk mund të jem tifoz me Milanit, por kam shumë respekt për këtë klub dhe historinë e tyre të shkëlqyer. Shpresoj që Seedorf do të ketë mundësinë që të punojë qetësisht dhe të ringejë Milanin në lartësinë e dikurshme. Futbolli italian ka shumë nevojë që dy skuadrat e Milanos të jenë gjithmonë në majë”, shtoi Mourinho.

Aktualisht, Interi renditet i gjashti në kampionat, ndërsa Milani pozicionohet në vendin e dhjetë të Serisë A.

Top Channel