“Guardiola po çon dëm talentin e Gotzes”

06/02/2014 00:00

Franz Beckenbauer, figura më e shquar e Bayern Munchen dhe e futbollit gjerman, ka shprehur pakënaqësinë e tij me Pep Guardiolën duke thënë se trajneri spanjoll nuk po e përdor siç duhet talentin e Mario Gotzes.

“Guardiola nuk po e ndihmon aspak lojtarin duke e vënë të luajë midis dy mureve. Ai nuk është në kontakt të shpeshtë me topin dhe në këtë mënyrë nuk po jep më të mirën”, tha Beckenbauer.

Sipas tij, pozicioni i “sulmuesit të fshehur” nuk është më i përshtatshmi për Gotzen dhe shton se talenti i ri gjerman duhet të luajë në krah të një sulmuesi tjetër.

“Sigurisht që Gotze mund të bëjë çdo rol, por nuk është kjo më e mira për lojtarin. Është shumë më i rrezikshëm kur luan pas një sulmuesi të parë”, shpjegoi ish-futbollisti i famshëm.

Mario Gotze u ble nga Bayern Munchen verën e kaluar për 37 milionë euro. Fillimi i sezonit për të nuk ishte i mirë për shkak të një dëmtimi që e pengoi të luante rregullisht, por gjithsesi ka arritur të shënojë 10 gola (6 në Bundesligë, 3 në Champions dhe 1 në Botërorin e Klubeve) në 23 ndeshje.

Top Channel