Kroos drejt largimit nga Bajerni i Mynihut

05/02/2014 19:40

Mesfushori i Bajernit, Toni Kross, pranoi për herë të parë se e ardhmja e tij me shumë gjasa do të jetë larg kampionëve të Gjermanisë.

Ndonëse 24-vjeçari nuk përdori ekzaktësisht këto fjalë, Kroos pranoi në “Facebook” se për momentin e ka të pamundur të rinovojë kontratën me gjermanët.

“Shumë gjëra janë shkruar, sidomos në ditët e fundit, në lidhje me të ardhmen time”, deklaroi Kroos. “Megjithatë, nuk duhen besuar të gjitha gjërat që shkruajnë gazetat. Fakt është se jam shumë i lumtur tek Bajerni, por është edhe fakt se për momentin nuk po gjejmë dot një mirëkuptim për zgjatjen e kontratës”.

“Duke qenë se unë kam edhe një vit e gjysmë kontratë, kjo nuk është një çështje urgjente. Unë mbetem i hapur për të parë se çfarë do të sjellë e ardhmja”, shtoi gjermani.

Aktualisht, për Kroos përflitet interesi i disa klubeve të mëdha europiane, mes të cilave më i avancuar në bisedime duket Manchester United.

Top Channel