“Marrëdhëniet greko-shqiptare janë strategjike dhe mjaft të rëndësishme, jo vetëm për dy vendet, por edhe për rajonin. Greqia mbështet Shqipërinë në rrugën e saj europiane”.

Kjo ka qenë kryefjala gjatë një takimi që presidenti grek Karolos Papulias pati me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati në pallatin presidencial të Athinës.

Sipas tyre, këto marrëdhënie mbështeten në respektin dhe historinë e dy popujve tanë, që konsiderohen si më të vjetërit në rajon.

Presidenti i Greqisë u shpreh se është mik i fuqishëm i Shqipërisë dhe këtë ai e ka treguar në të gjitha postet që ka pasur gjatë karrierës së tij të gjatë në politikën greke.

“Jam shumë i emocionuar që pres në Athinë ministrin e Jashtëm të një vendi mik siç është Shqipëria. Të dy vendet kanë marrëdhënie të mira dhe mjaft pozitive. Zoti ministër, kam punuar shumë që këto marrëdhënie të jenë të mira”, u shpreh Papulias.

“Zoti president, ju falenderoj për mikpritjen e ngrohtë. Greqia është një vend mik dhe me histori të madhe. Dhe unë jam i emocionuar që ndodhem këtu për të vizituar një vend mik”, u shpreh ministri Bushati nga ana e tij.

Gjatë takimit, si zoti Papulias, ashtu dhe zoti Bushati, ranë dakord se ka ardhur koha që të shihen me frymë pozitiviteti të gjitha çështjet që shqetësojnë marrëdhëniet dypalëshe.

Vizita e Bushatit në Athinë do të vazhdojë me takimet me komunitetin shqiptar që jeton në Athinë dhe Korinth, ndërsa gjatë ditës së enjte ai do të pritet nga kryeministri Andonis Samaras dhe ministri i Jashtëm, Evangjelos Venizelos, me të cilët pritet të diskutojë për një sërë marrëveshjesh midis dy vendeve.

Top Channel