Putin, inspektimi i fundit në Soçi

04/02/2014 16:30

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vizitoi ditën e martë Soçin, qytetin ku do të mbahen Lojrat Olimpike Dimërore.

Putin e ka cilësuar vizitën e tij si një “vizitë pune”, pjesë e një inspektimi që ai po i bën gatishmërisë së organizatorëve për të pritur Lojrat, vetëm tre ditë përpara ceremonisë hapëse.

Një qendër e rehabilitimit të leopardëve ishte stacioni i parë i vizitës së Putin.

Qëndra, e hapur katër vjet më parë me kërkesën personale të presidentit, është e përqendruar në punën për mbrojtjen e kësaj specie në Rusi.

Gjatë ditës, Putin do të jetë i pranishëm në disa aktivitete që do të realizojë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Vizita e Putin në Soçi vjen ndërsa mediat vendase kanë akuzuar autoritetet për shpërdorime të mëdha me fondet e përdorura në ndërtimin e komplekseve olimpike.

Raporte të disa mediave i ngrenë këto kosto deri në 51 miliardë dollarë, por zyrtarisht, Moska vlerëson që ato t’i kenë kushtuar taksapaguesve rusë 6,4 miliardë dollarë.

Sipas analistëve, vizita e Putin mund të interpretohet edhe si një shenjë force, përballë kërcënimeve të shumta që kanë marrë Lojrat nga militantë terroristë të rajonit.

Aktualisht, mbi 30 mijë trupa shtesë të policisë apo ushtrisë janë vendosur në Soçi, për të siguruar qytetin nga terroristë që kanë kërcënuar me përgjakjen e Lojrave.

Dagestani, së bashku me Çeçeninë dhe Ingushetinë janë tre krahina autonome në Kaukazin Verior, ku prej vitesh gjallëron një lëvizje militante separatiste, me qëllim shkëputjen nga Rusia dhe themelimin e një shteti islamik.

Top Channel