Komuna e Prishtinës përmes një letre të hapur i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’i kërkuar ndihmë në zgjidhjen e problemit të mungesës së ujit të pijshëm.

Komuna kërkoi nga kryeministri Thaçi që furnizimi me ujë të pijshëm të jetë ndër çështjet me përparësi të qeverisë dhe që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje.

Në letrën e komunës, kryeministrit iu rikujtua se gjendja alarmante nuk është verifikuar vetëm në javët e fundit pas ballafaqimit me thatësira, por është një gjendje që mbizotëron në rajonin e Prishtinës prej një kohe të gjatë.

“Qytetarët e disa komunave, kryesisht asaj të Prishtinës, ballafaqohen me reduktime të përditshme të ujit. Vlerësimi ynë i përgjithshëm është se investimet që po bëhen nga banka gjermane KFW në bashkëpunim me qeverinë dhe Komunën e Prishtinës nuk do ta zgjidhin problemin. Kjo, jo vetëm për shkak të vonesave të ndryshme, por sidomos për shkak të mungesës së vullnetit politik që kjo çështje të shtrohet si prioritet jo vetëm financiar, por edhe politik”, thuhet në letrën e komunës.

Sipas komunës, qytetarët janë të frikësuar se mund të mbeten pa ujë dhe kanë bindjen se për qeverinë kjo çështje nuk është e rëndësishme.

Top Channel