Laç, ekzekutohen dy vëllezër

04/02/2014 00:00

Një person që për policinë është i sëmurë mendor ka qëlluar me armë zjarri dhe ka vrarë dy vëllezër në Laç. Ngjarja ndodhi në orën 8 e 30 në lokalin e dy viktimave pranë stacionit të furgonave në qytetin e Laçit.

Autori i vrasjes, sipas dëshmitarëve, pasi ka qëlluar dy vëllezërit ka dalë nga lokali dhe ka nisur të qëllojë në mënyrë të pakontrolluar përreth duke plagosur edhe dy kalimtarë të rastit.

Dy viktimat e identifikuara janë Andrea e Endri Cara, përkatësisht, 27 dhe 30 vjeç, ndërsa autori është Altin Piroli, 27 vjeç shok me viktimat. Të tre ishin nga fshati Zhej i Rrethit të Kurbinit.

Ndërkohë të plagosurit, Nikoll Ndoji dhe Tonin Gjini 24 dhe 22 vjeç janë sjellë në Tiranë në spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar. Mjekët thonë se njëri nga të plagosurit ka plagë në zonën e legenit ndërsa tjetri në krah.

Të dy vëllezërit u qëlluan me armë ndërsa ndodheshin në lokal. Autori sipas dëshmitarëve ka zbrazur gjithë karikatorin e më pas e ka rimbushur duke qëlluar njerëzit e tjerë në rrugë.

Kalimtarët janë larguar në panik dhe mësohet se 27-vjeçari i ka drejtuar armën edhe policëve që shkuan ta ndalonin, por arma ishte bosh.

Viktimat dhe autori janë fqinj në fshatin e tyre. Sipas policisë Altin Piroli njihet si person me preçedente penalë. Dy vite më parë ai ka plagosur kushëririn e tij dhe për këtë vepër penale ishte dënuar me 1 vit burg.

Policia në momentin e arrestimit i ka gjetur dy armë zjarri që mbante me vete, ndërsa autori është marrë në pyetje për të mësuar edhe shkaqet e kësaj vrasje të dyfishtë që kreu.

Top Channel