Itali, shkatërrohen 2 organizata kriminale

04/02/2014 00:00

Dy organizata kriminale të lidhura me njëra-tjetrën u shkatërruan të martën nga ushtarakët e Komandës së Karabinierëve të Milanos, në bashkëpunim me policitë e Shqipërisë, Rumanisë dhe Greqisë.

Gjithësej janë vënë në pranga 30 persona me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndevë narkotike dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Dy organizatat, me bazë në Milano dhe Firenze, kishin krijuar rrjetet e tyre në një sërë qytetesh veriore të Italisë si Torino, Lodi, Alesandria e Pavia.

Hetuesit bëjnë të ditur se vajzat, gjithësej 14, silleshin nga Rusia, Moldavia, Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania me premtimin e një pune të ndershme, por shfrytëzoheshin më pas si prostituta e ndonjëherë bëheshin pjesë e sistemit të rekrutimit të vajzave të tjera. Përsa i përket lëndëve narkotike, nga Shqipëria ato kalonin në Greqi e më pas në Itali.

Operacioni i zgjeruar i forcave italiane të rendit u krye njëkohësisht me operazione të ngjashme në Shqipëri, ku u arrestuan 7 persona, Rumani dhe Greqi. Ai qe fryt i një periudhe hetimesh mbi njëvjeçare të koordinuara nga Italia.

Top Channel