Heynckes: Vilanova, një kampion i vërtetë

04/02/2014 18:10

Ish-trajneri i Bajernit të Mynihut, Jupp Heynckess, nderoi ish-trajnerin e Barcelonës, Tito Vilanova, në një fjalim emocionues të bërë në Barcelonë.

I pranishëm në Katalunjë në një ceremoni të realizuar prej “Mundo Deportivo”-s, 68-vjeçari i kushtoi disa fjalë Vilanovës, i cili fitoi çmimin e trajnerit më të mirë, por nuk ishte i pranishëm ndërsa vazhdon betejën e tij kundër një tumori.

“Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që të jem në këtë ceremoni për t’i dhënë çmimin një personi të zgjedhur: Tito Vilanovës. Nën drejtimin e Titos, Barcelona zhvilloi një futboll me të vërtetë fantastik në sezonin paraardhës”, tha Haynckes.

“Tito është një strateg i vërtetë. Ai është një trajner shumë punëtor dhe i aftë, në gjendje që të krijojë një marrëdhënie të vërtetë dhe shumë të mirë me futbollistët e tij. Ai është një shembull për botën e sportit në përgjithësi dhe i uroj shumë fat në betejën e tij, e meriton të gjithin. Vilanova është një kampion në sport dhe në jetë, e tek unë ai do të gjejë një mik të përjetshëm”, shtoi njeriu që udhëhoqi Bajernin drejt një triplete historike në sezonin e shkuar.

Ishte pikërisht ekipi gjerman, ai që ndaloi Barcelonën e Vilanovës në gjysmëfinalet e Champions League në sezonin e lënë pas, me një rezultat të përgjithshëm 7-0 në të dy takimet.

Top Channel