Energjia, privatët gërryejnë shtetin

04/02/2014 00:00

Në vitin 2006, ish-Qeveria e atëhershme ndërmori një politikë agresive
për të nxitur ndërtimin e veprave private që prodhojnë energji.

Dhënia e licencave për ndërtimin e qindra hidrocentraleve të reja u shoqërua edhe me një garanci të fortë për privatët. Shteti mori përsipër, që përmes KESH, të blejë gjithë energjinë e prodhuar nga ta me çmim të privilegjuar, më të lartë se sa çmimi i tregut. Në harkun kohor të 8 viteve disa nga HEC-et e nisur kanë përfunduar dhe tashmë janë në prodhim.

Por ndonëse në dukje një lajm i mirë për rritjen e prodhimit vendas, koncesionet prodhojnë edhe një efekt tjetër, atë të kostove të larta financiare. Dy vitet e fundit KESH bleu nga prodhuesit privat të energjisë, sipas të dhënave zyrtare, 1 miliardë kilovat orë energji me çmim mesatar 9.3 lekë për kilovat.

Vetëm kostoja shtesë e e pambuluar në çmimin që Enti i ka përcaktuar Korporatës, llogaritet mbi 32 milionë euro. Për këtë vit humbjet e parashikuara nga blerja e energjisë së privatëve do të jenë edhe më të larta, përkatësisht 39 milionë euro.

Në vitet që vijnë kostot pritet të jenë edhe shumë më të larta. Rritja e prodhimit nga privatët nga viti në vit dhe detyrimi i KESH-it për ta blerë të gjithë energjinë e tyre me çmim të subvencionuar, po e fundos korporatën financiarisht. Por më shumë se sa korporata, ata që e paguajnë realisht këtë kosto janë qytetarët.

Pasi humbjet e KESH do të mbulohen ose nga taksat e buxhetit ose nga rritja e çmimit final të energjisë për konsumatorët. Aksioni i Qeverisë 8 vjet më parë për t’i orientuar investitorët në prodhimin e energjisë ka bërë që të ndërtohen edhe hidrocentrale, të cilat nuk janë eficentë. Ekspertët thonë se nëse KESH nuk ua blen energjinë me çmim të subvencionuar shumë nga to falimentojnë. Por kjo ngre një tjetër pyetje. A është e drejtë që kjo kosto t’u ngarkohet qytetarëve?   

Top Channel