Çfarë duhet të dini për Olimpiadën e Soçit

04/02/2014 00:00

Më 7 Shkurt, sytë e të gjithë botës drejtohen nga Rusia. Në qytetin e Soçit nisin Lojrat Olimpike Dimërore.

Mes shumë shpenzimve, zhurmës për ndërtimin e fshatit olimpik, kërcënimeve terroriste, etj, Rusia është gati të presë ekipet e 88 vendeve të ndryshme të botës, përfshi edhe dy skiatorë shqiptarë.

Por, cilët janë disa nga faktet që e bëjnë interesante Olimpiadën e Soçit.

1. Lojërat Olimpike Dimërore që do të mbahen në qytetin e vogël të Soçit në Rusi do të jenë më të kushtueshmet e të gjithë kohërave, me një vlerë mbi 51 miliardë dollarë. Çmimi përfshin një ristrukturim të infrastrukturës së qytetit dhe vlera e Lojërave Olipmike kalon me 10 miliardë dollarë shpenzimet e Lojrëve Olimpike të Kinës dhe 3 herë më shtrenjtë se ato të Londrës në vitin 2012. Fillimisht, projekti kapte një shifër prej vetëm 12 miliardë dollarësh, por numrat u rritën me ndërtimin e qendrave të shumta sportive, rrugëve dhe hoteleve. Shumë prej godinave do të përdoren dhe kur Soçi të mirëpresë ekipe përfaqësuese të futbollit në Botërorin e vitit 2018.

2. Olimpiada Dimërore nuk është aq e madhe sa ajo verore. Janë vetëm 15 kategori sportive që garojnë në dimër, përkundër 41 në verë.

3. Kurrë nuk ka patur kaq shumë vende pjesëmarrëse se sa në Soçi 2014. Një total janë 88 vende që do të përfaqësohen, ndërkohë Paraguaji dhe Zimbabveja shkojnë për herë të parë. Më shumë përfaqësues si gjithmonë ka SHBA me 230 sportistë, Rusia 225, Kanadaja 220 dhe Zvicra 168.

4. Medalja e Artë e Soçit përmban 516 gramë argjend dhe 6 gramë flori. Por, nuk është kjo gjithçka që do të marrë një fitues I vendit të parë. Rusia ka premtuar për garuesit e saj 122 mijë dollarë për çdo medalje të artë. Ndërkohë, ende nuk ka publikuar asgjë SHBA se sa do të shpërblejë sportistët e vet, edhe pse në Londër ajo akordoi 25 mijë dollarë për çdo medalje ari.

5. Atletët që do të fitojnë medaljen e artë në 15 Shkurt do të marrin një medalje të veçantë me pjesë të metorit që ra në Rusi më 15 Shkurt të vitit të kaluar.

6. Soçi është një qytet-resort me klimë subtropikale I njohur si Riviera Ruse, ku temperaturat edhe pse në dimër, rrallë zbresin nën 12 gradë Celsius. Garat që kanë nevojë për sasi të madhe dëbore do të zhvillohen në resortin malor të Krasnaya Polyana ku makina dëbore të ardhura nga Finlanda janë në gatishmëri nëse moti I ngrohtë kërcënon.

7. Nga liqenet më të thella në botë tek malet më të larta në Europë dhe një udhëtim në hapësirë, flaka olimpike e Soçit është bartur nga më shumë se 14 mijë persona në këmbë, autobus, avion apo mjete të tjera transporti gjatë 65 mijë kilometrave për 123 ditë në 2900 fshate dhe qytete.

Top Channel