Skënderbeu “mbyll” kampionatin

02/02/2014 00:00

Skënderbeu duket t’i ketë prerë shpresat përfundimisht, kujtdo që ka shpresuar deri në këto momente për një hap fals të kampionëve.

Korçarët kanë mundur, edhe pse me disa mungesa, 2-1 Vllazninë në fushën e tyre, duke mos lëshuar terren ndaj ndjekësve.

I kanë mjaftuar 20 minutat e para skuadrës së Josës, për të siguruar fitoren, falë dy golave të shënuar në fillim nga kapiteni Shkëmbi dhe më pas nga Ribaj.

Me këtë fillim jo të mirë, shkodranët nuk arrijnë të rikuperojnë as në minutat e tjera të lojës, pavarësisht ndryshimit të ritmit.

Me fillimin e pjesës së dytë, Tafili ngushton diferencën me golin e shënuar, por kaq nuk mjafton për të dalë me pikë nga Korça.

Tashmë, kampionët në fuqi shkojnë drejt kurorëzimit të titullit të radhës, pasi në këtë javë të 17 e shohin veten 9 pikë më shumë se sa vendi i dytë, pozicion të cilin e ka marrë me një fitore të bujshme Teuta.

Si rrallë herë, durrsakët shënojnë në serinë e fitoreve një rezultat tenistik, duke shkatërruar në “Niko Dovana” Lushnjën, me rezultatin 6-2.

Xhoel befason të gjithë me 4 golat e shënuar, ndërkohë që për dy të tjerët mendojnë Sam dhe i përhershmi Daniel Xhafa.

Një paraqitje shumë e dobët kjo e Lushnjës, e cila rrezikon shumë tashmë, për të mos thënë se po siguron kthimin andej nga erdhi, nisur edhe nga problemet e brendshme në skuadrën e Banos.

Ndërkohë ndeshja në Ballsh, mes Bylisit dhe Flamurtarit, është mbyllur në një barazim 0-0, një takim ky ku binte në sy niveli nën mesatar i lojës, për të dyja skuadrat.

Top Channel