Partia Demokratike akuzoi Policinë e Shtetit për lidhje me krimin.

Deputeti Arben Ristani tha se Drejtuesit e Policise së Durrësit janë të lidhur me biznesimenin që një ditë më parë u arrestua si porosites i vrasjes së rivalit të tij.

Po ashtu, ai tha se shefi i antidroges në Vlorë, një ditë pas denoncimit të Edi Palokës ka kërcënuar opozitën, ndërsa qeveria nuk jep shpjegime për këtë emërim.

“Shefi i komisariatit të Durrësit rezulton se për tetë vite ka qenë shoferi i biznesmenit të arrestuar si i dyshuar për porositje të vrasjes së rivalit të tij. Drejtor i Policisë së Qarkut të Durrësit është mik i po këtij biznesmeni. Tani, po të gjithë e dinë që anëtari i bandës së vrasjeve me pagesë tentoi të bënte denoncim për krimet e kryera dhe ato që duhet të kryheshin. Sot është e qartë që anëtari i bandës që vendosi të bashkëpunonte me drejtësinë ishte në rregull mendërisht, por në rregull nuk paskan qënë dy drejtuesit e policisë së Durrësit, që të dy të lidhur me biznesmenin e dyshuar si porositës i vrasjeve”, deklaroi për mediat deputeti Ristani.

“Për më tepër, dje ne denoncuam përfshirjen në Policinë e Vlorës së ushtarit të Zani Caushit dhe i kërkuam qeverisë që të reagojë dhe të japë shpjegime. Një ditë më pas reagon ushtari i Zani Caushit, tashmë polic në Drejtorinë e Anti-Drogës së Policisë së Vlorës, duke kërcënuar opozitën”, shtoi Ristani në deklaratën e tij. 

MB: “Opozita po përbalt policinë”

Ministria e Brendshme ka reaguar me anë të një deklarate ndaj akuzave të
Partise Demokratike, duke u shprehur se, “ata që deri dje dështuan ta
luftonin krimin, sot po ankohen se Policia është rikthyer në krye të
detyrës dhe po lufton për rikthimin e shtetit ligjor”.

“Prej dy ditësh”, thuhet në këtë deklarate, “përfaqësues të lartë të opozitës janë duke u përpjekur të përbaltin punën e Policisë së Shtetit”.

Reagimi vazhdon duke cilesuar se, “Mashtimet, shpifjet dhe vreri i opozitës vijnë pikërisht në momentin kur policia po tregon se është në krye të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e papërlyer dhe e pandikuar nga tendencat korruptive. Shembulli më i qartë i kësaj qasje të re të Policisë së Shtetit është aksioni përzbulimin e një grupi me lidhje kriminale nga më tërrezikshmet, ku po arrestohen persona që deri dje dukeshin të paprekshëm nga ligji.

Top Channel