I gjithë hetimi i vrasjeve me pagesë, nga Julian Sinanaj dhe bashkëpunëtorët e tij, pritet që të plotësohet me arrestimin e dy kushërinjve Mëhillaj nga Vlora.

Mëhillajt rezultojnë të jenë njerëzit që kanë paguar Sinanajn në një vrasje dhe në tre raste të shpërthimit të lëndëve eksplozive, pa ia treguar atij porositësin e vërtet.

Sinanaj, i cili është zbërthyer përpara grupit të prokurorëve, nuk ka dhënë detaje për disa vepra penale të kryera prej tij, për shkak se nuk ka patur dijeni dhe detaje. Sipas tij, detajet i ka marrë nga kushërinjte Andon dhe Genis Mëhillaj.

Dy kushërinjtë rezultojnë të jenë dy personat më të kërkuar të policisë shqiptare. Ata nuk rezultojnë të kenë përdorur pasaportat e tyre për të dalë nga ndonjë pikë e kalimit kufitar, që lidh Shqipërinë me vendet e tjera.

Praktikisht, dyshimi më i madh i policisë bie mbi një vendndodhje të mundshme brenda territorit vendas.

Duke ditur rrezikshmërinë që ata paraqesin, ekspertët më të mirë të vendit, sidomos në gjurmim, janë duke kërkuar për ndonjë lëvizje të mundshme të tyren në vend. Por, askush nuk përjashton faktin që mund të jenë larguar nga vendi edhe ilegalisht, duke përdorur kufirin grek apo atë italian.

Fotot dhe të dhënat e tyre janë shpërndarë në vendet e Bashkimit Europian dhe puna primare, sidomos e oficerëve të kontaktit që Shqipëria ka në çdo shtet, mbetet gjetja e dy kushërinjve.

Gjetja e tyre do të ndihmonte në hetimet për autorët e porosive, për tre shpërthime dhe një vrasje, të katërta ngjarje të ndodhura në qytetin e Vlorës.

Sinanaj pothuajse ka shpjeguar gjithçka që di, pavarësisht se grupi i prokurorëve mendon se ende nuk i ka rrëfyer të gjitha, për atë çfarë ka bërë në territorin tonë. Sipas grupit hetimor, vetëm kur të ketë përfunduar i gjithë rrëfimi i tij dhe bashkëpunimi për kapjen e autorëve të tjerë në këto krime, atëherë Sinanaj do të merret në pyetje edhe nga prokurorët grekë.

Këta të fundit janë të interesuar për aktivitetin e tij, në grupin e celulave të zjarrit. Sinanaj dyshohet të jetë bashkëpuntor në më shumë se 20 vrasje me urdhër të kësaj bande, ndërsa në tre prej tyre është autor kryesor.

Top Channel