Sinanaj para nënës dhe motrave, bënte jetë luksi

01/02/2014 00:00

Vrasësi me pagesë, Julian Sinanaj, bënte një jetë luksi. Paratë e
fituara nga aktiviteti kriminal i shpenzonte për automjete luksoze dhe
pushime të gjata, ndoshta për t’u “zhdukur” disa kohë pas punëve të
pista.

Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton për vrasësin me “kontratë”, ndërsa në fokusin e hetuesve janë edhe transfertat dhe transaksionet bankare, pasi ka dyshime se porositësit kalonin në llogaritë bankare të Sinanajt qindra mijëra euro. Ditët e fundit, të gjitha bankave të nivelit të dytë, u është dërguar kërkesë për të evidentuar të gjitha lëvizjet e llogarive të Sinanajt, ndërsa mësohet se me verifikimin e tyre, do të arrihet të provohet se “killeri” paguhej nga porositësit.

Jeta luksoze

Fitimet nga aktiviteti i paligjshëm, Julian Sinanaj, i ndante edhe me familjen. Nga rrëfimet e gjata të tij, të filmuara nga hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është mësuar se një pjesë e mirë i fitimeve shkonin për familjen. Ato ishin para të thata. “Sinanaj i ka dhënë kesh nënës dhe dy motrave shuma të konsiderueshme parash, me qëllim që të bënin një jetë sa më të mirë”, pohojnë burimet nga akuza qendrore, të cilat i referohen dëshmisë së të penduarit. Akuza ka mësuar se edhe vetë Sinanaj kryente jetë luksoze, madje paratë e fituara nga një “punë e pistë” i investonte edhe për atentatin e radhës. Ai blinte herë pas here mjete që i duheshin për “punë”, si automjete luksoze dhe motorë, ndërsa blinte edhe armatime të ndryshme, apo edhe pajisje teknologjike të kohës së fundit, si aparate. Të gjitha këto ia siguronte Gjokona, i cili ishte edhe ndihmësi i tij.

Pushimet e gjata

Krahas jetës në Shqipëri, kryesisht në qytetin e Tiranës dhe Vlorës, Sinanaj bënte edhe pushime të gjata. Në momentin e arrestimit, ai shoqërohej nga një vajzë vlonjate, studente në Tiranë, me të cilën frekuentohej kohët e fundit, ndërsa më parë ka lëvizur në disa vende të tjera për të pushuar. Dhe, gjithmonë ikte nga Shqipëria pas ndonjë atentati dhe fakti që nuk kishte precedentë e ndihmonte që të lëvizte lirshëm. Burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohojnë se një pjesë e mirë e të ardhurave nga shpërblimet për vrasjet dhe atentatet me eksploziv janë harxhuar jashtë vendit, në resorte turistike apo edhe në kazino. “Ai bënte një jetë të shfrenuar”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Shpërblimet

Por, hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, do të fokusohen pikërisht te mënyra e marrjes së shpërblimeve. Deri më tani, Sinanaj ka pohuar se ka marrë 20 mijë euro për bombën e vendosur në automjetin e prefektit Besnik Dervishi dhe 7500 të tjera në atentatin ndaj Ardian Kollozit. Ka shpjeguar se për vrasjen e Agron Çelës ka marrë 35 mijë euro, ndërsa për vrasjen e Sokol Veizit, ka marrë një apartament dhe 1500 metra katrorë tokë. Së fundi ka shpjeguar se për të eliminuar biznesmenët paguhej mbi 100 mijë euro. Për vrasjen e një biznesmeni të hidrokarbureve në Durrës, Sinanaj është paguar me 150 mijë euro, ndërsa për ekzekutimin e një tjetri në Tiranë, do të merrte 120 mijë euro. Por, ai dyshohet se ka bërë edhe 27 vrasje në Greqi, ku sërish ka marrë shpërblime të majme, ndërsa prokuroria synon që të gjithë këto shpërblime t’i dokumentojë. Për këtë arsye, ditët e fundit, hetuesit u kanë kërkuar bankave informacione të plota rreth pagesave ndaj Sinanajt, i cili kishte disa të tilla. Ka dyshime se qindra mijëra euro janë depozituar në emrin e tij, apo të të afërmve nga porositësit.

Hetuesit grekë

Ndërkohë që në Shqipëri hetimet janë fokusuar në pesë ngjarje, disa hetues grekë ndodhen prej ditësh në Shqipëri, që pas arrestimit të Ilir Kupës, i arratisur nga burgu i Trikallas. Ditën e djeshme, hetuesit kanë takuar krerët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të mësuar më shumë mbi dëshminë e Sinanajt, apo edhe bashkëpunimin mes grupeve hetimore, që janë duke u marrë me dokumentimin e ekzekutimeve të 31-vjeçarit.

Dëshmia, tentativa e dështuar për të vrarë biznesmenin për 120 mijë euro

Me ndërmjetësimin e kushërinjve Mëhilli, Sinanaj ka rrëfyer se kishte planifikuar vrasjen e një biznesmeni të gazit në Tiranë. Por ndërsa e ndiqte dhe e vëzhgonte ai u arrestua. Vrasja do të kryhej në datë 25 janar në Tiranë. Pagesa e premtuar kishte qenë 120 mijë euro. Gjatë periudhës mes dhjetorit dhe janarit, Sinanaj e kishte ndjekur disa herë shënjestrën e tij, duke i bërë edhe fotografi në një kafe te Kodrat e Liqenit. Porosia për biznesmenin e gazit ishte porositur nga një biznesmen tjetër për shkak të konkurrencës. Sipas burimeve nga prokuroria, vrasësi me pagesë nuk ka shfaqur shenja pendese, përveç një rasti, kur ka eliminuar biznesmenin vlonjat, Agron Çela. Ngjarja e dhimbshme i ka mbetur në kujtesë, pasi e kishte qëlluar viktimën në sy të fëmijëve. Kjo ngjarje ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar.

Top Channel