
Ndërroi jetë papritur në moshën 75-vjeçare në Madrid, Luis Aragones, ish-trajneri i kombëtares spanjolle i konsideruar si ‘mjeshtri i tiki-takas’, lojës së kontrollit të topit me pasime të shkurtëra dhe të shumta.
Ikonë e Atletikos së Madridit dhe e kombëtares spanjolle, Aragones atë që s’mundi ta bëjë si lojtar e arriti si trajner i iberikëve kur i shpalli kampionë të Europës në vitin 2008.
Karrierën e tij si futbollist e nisi me Getafen, më pas përfundon tek Reali i Madridit. Por aventuara e tij ‘merengues’ nuk ishte aq e suksesshme dhe në vitin 1964 kalon tek Atletiko Madrid ku luan si mesfushor i avancuar.
Me të në fushë, Atletiko fiton tre kampionate, përkatësisht në vitin 1966, 1970 dhe 1973 dhe dy Kupa Mbreti, 1965 dhe 1972. Në 1974 luan në finalen e Kupës së Kampioneve (Champions i sotëm) kundër Bajernit të Mynihut.
Në sezonin pasardhës mbetet tek Atletiko, por jo më si futbollist, por si trajner dhe trofeu i parë ishte Kupa Interkontinentale (sot Botërori i Klubeve) ku morën pjesë pas tërheqjes së Bajernit të Mynihut, që kishte fituar Kupën e Kampioneve.
Para se të merrte postin e trajnerit të Spanjës në 2004, provoi disa përvoja si drejtues i Betisit, Barcelonës, Espanjolit, Seviljes, Valencias, Oviedos dhe Majorkës.
Në Botërorin e 2006-ës Spanja e Aragones eliminohet nga Franca në çerekfinale, por dy vite më vonë mbërriti suksesi, pikërisht në europianin austro-zviceran, ku Spanja mundi 1-0 Gjermaninë falë një goli të shënuar nga Torres.
Menjëherë pas trofeut u tërhoq nga kombëtarja dhe shkoi në Turqi për të stërvitur, (pa sukses) Fenerbahçen. Dhjetorin e kaluar në media qarkulloi lajmi i tërheqjes së tij, por vetë Aragones përgënjeshtroi gjithcka.
Top Channel