
Edhe pse nuk është në vendet e kreut të tabelës, Inter do të vizitojë kampionët në fuqi dhe kryesuesit aktualë të Serie A, Juventus, në një ndeshje që asnjëri prej ekipeve nuk do të donte ta humbiste. Përballja më e fortë e kësaj jave do të luhet ditën e diel.
Vetëm 2 javë më parë, kompanitë e basteve u dhanë shumë pak shanse rivalëve të Juves për titull, për të përmbysur diferencën me bardhezinjtë në renditje. Por, barazimi i fundit i ekipit të Conte-s, 1-1 me Lazio-n, fundjavën e kaluar, shoqëruar edhe me fitoren 3-1 të Romës me Veronën, ka injektuar më shumë gjallëri në kampionatin, ku shumica e ekipeve luajnë shanset e tyre për pjesëmarrje në Europë vitin e ardhshëm, se sa për titullin kampion.
Juve do të luajë ndaj Inter pa portierin Gianluigi Buffon, i pezulluar me 1 ndeshje pas kartonit të kuq të javës së kaluar, por me një kryesim prej 6 pikësh nga Roma, ndërkohë që Napoli i vendit të tretë është edhe 6 pikë të tjera larg, që mban aktualisht vendin e fundit për kualifikueset e Champions-it të sezonit të ardhshëm.
Juve është e pamposhtur në shtëpi këtë sezon, por duke qenë se Roma pret Parmën në “Olimpico” dhe Interi është i etur për fitoren aq shumë të dëshiruar që pas derbit me Milan, Antonio Conte nuk mund ta bëjë gjumin e qetë.
Totti, i cili shënoi golin e tretë ndaj Veronës, paralajmëroi se “kemi dhënë një goditje paralajmëruese për sa i përket betejës për titullin kampion”.
Të dy ekipet kanë qenë aktive në këtë merkato dimërore, teksa Danilo D’Ambrosio dhe Hernanes janë bashkuar me Interin, ndërsa Juve ka marrë Osvaldo-n nga Southampton, duke e rikthyer në Serie A vetëm 6 muaj pas transferimit prej 15,1 milionë euro nga Roma, verën e kaluar.
Milan, që ka siguruar disa përforcime në këtë merkato, përfshi edhe mesfushorin me tipare sulmuese, Adel Taarabt, nga Fulham, do të presin të shtunën Torinon, por pa Mario Balotelli-n, i cili është gjithashtu i pezulluar për kartonin e kuq të marrë ndaj Cagliari-t.
Napoli do të udhëtojë drejt Bergamos, për t’u ndeshur me Atalantën, vetëm pak ditë pasi mposhti Lazio-n në Kupën e Italisë, për të siguruar përballjen në gjysmëfinale ndaj Romës, mesjavën e ardhshme. Benitez bën thirrje për “fokusim te ndeshja e radhës, pasi fitorja në Kupë nuk vlen aq sa ajo në kampionat”.
Top Channel