
Qëndrimi në Itali i shërbeu Kryeministrit, Edi Rama për t’u njohur nga
afër me kushtet e punës të stafit të konsullatës shqiptare në Milano dhe
me cilësinë e shërbimit që kjo konsullatë u ofron shtetasve shqiptarë,
që jetojnë, punojnë dhe studiojnë në Itali.
Sipas konsullit Rezart Shkembi, ne Milano u sherbehet mesatarisht rreth 120 qytetareve ne dite, por ai vleresoi se nje mjedis me i madh do te rriste cilesine e sherbimit.
Ministri i Jashtem Ditmir Bushati vuri ne dukje se brenda nje periudhe te shkurter i eshte dhene fund nje praktike, sipas tij, korruptive dhe abuzive, me te cilen konsullata trajtonte me pare shtetasit shqiptare.
“Kemi bërë një gjë jashtëzakonisht të mirë që i dhamë fund asaj ‘Call Center-it’, që i gërryente lekë shqiptarëve në mënyrë totalisht korruptive, totalisht të pamerituar. Objektivi ynë është që të kemi shërbime sa më të shpejta, sa më transparente dhe sa më të lira, për të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Bushati.
Ne kete pike, duket se konsulli i Milanos dhe ministri i Jashtem kane te gjithe mbeshtetjen e Kryeministrit Edi Rama, i cili kerkoi shërbim sa më cilësorë për qytetarët shqiptarë.
“I siguroj të gjithë qytetarët tanë që jetojnë në Itali dhe që kanë të bëjnë me këtë konsullatë apo me konsullatat e tjera, se në një kohë të arsyeshme, por jo të gjatë, do të shohin vetë një ndryshim rrënjësor në mikpritje, në trajtim dhe në dhënien e shërbimit ndaj tyre”, tha Rama.
Kryeministri nxiti edhe zbatimin sa me te shpejte te projektit per nje konsullate te re me te madhe, ku do t’i sherbehet shtetasve te Republikes se Shqiperise dhe atyre te Republikes se Kosoves.
“Fluksi do të jete edhe më i madh, për shkak se në të njëjtën hapësirë do të ofrojë shërbimet e veta dhe konsulli dhe stafi i konsullit të Kosovës, gjë që ne kemi rënë dakord dhe do të aktivizohet shumë shpejt. Kështu që praktikisht konsullata e Milanos do të jetë konsullata e shqiptarëve, e të gjithë shqiptarëve, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës”, tha Rama.
Kjo vizitë vjen pikërisht pas kallëzimit që bëri Ministria e Jashtme ne Prokurori për ish-konsullen e përgjithshme të Shqipërisë në Milano, Nausika Spahija, e akuzuar për shpërdorim detyre, vjedhje të pasurisë shtetërore, fshehje të gjurmëve të veprës penale dhe pabarazi në tendera.
Ndërkohë, gjatë pasdites Rama postoi një mesazh në profilin e tij në rrjetin social Twitter, ku fliste për vizitën e tij në qytetin e rëndësishëm italian.
“Për TR pas vizitës në Milano për investime që hapin vende pune. E mbyllëm diten tek manifaktura Grassi për 500 vende të reja për Librazhdin”, thotë Rama në mesazhin e tij.
Një ditë më parë, në një intervistë për “La Repubblica”, Rama ftoi biznesin italian në Shqipëri, duke e cilësuar vendin tonë si një tokë për t’u eksploruar për sipërmarrjen e vendit fqinj.
Top Channel