
Edmond Budina, aktori, skenaristi dhe regjisori i famshëm shqiptar, u rrëfye në studion e “Pasdite në Top Channel” duke treguar për familjen e tij, vështirësitë që ka hasur në Itali dhe përpjekjet për të mos u ndarë përfundimisht nga aktrimi, pasioni i tij më i madh.
Zgjedhja e Akademisë së Arteve – Kisha një mesatare 9.6 dhe jo vetëm familja, por të gjithë donin një shkollë tjetër për mua pasi në Akademinë e Arteve shkonin ata me mesatare më të ulët, por unë e doja teatrin që kur kam qenë i vogël dhe e kisha vendosur që atje do shkoja.
Familja – Kam marrë për grua një nga gratë më të bukura të Tiranës, por mentaliteti i atëhershëm nuk i shihte me sy të mirë martesat si ajo e imja. Sonja kishte një djalë nga martesa e mëparshme, Enin, të cilin unë e kam rritur dhe e konsideroj fëmijën tim. Unë atëherë bëra një gjë që sot është krejt normale. Jam krenar për familjen time.
Marrëdhëniet me kolegët – Kam punuar me aktorët më të mëdhenj të skenës shqiptare dhe jam ende mik i tyre. Kurrë nuk kam pasur asnjë konflikt. Një nga arsyet që u shkëputa nga politika shumë shpejt është edhe kjo, nuk doja të bëja armiq.
Italia – Bashkëshortja ime ka nënë italiane dhe familja e saj “ngeci” në Shqipëri kur u mbyllën kufijtë. Në fillim të viteve ’90 qeveria italiane nisi t’i rikthejë këto familje dhe ne shkuam në Itali duke na premtuar se do të ishte gjithçka e rregulluar me shtëpi dhe punë, por atje na thanë që duhet t’ia dilnim vetë. Nisa të punoja në një magazinë këpucësh si hamall, pastaj kam punuar si shitës këpucësh dhe në vitin 1994 fatmirësisht gjeta punë në një fabrikë. Them fatmirësisht sepse kur jeton në një vend të vërtetë kapitalist e kupton vërtetë rëndësinë e punës. Kam punuar 20 vjet aty, në një fabrikë ku prodhoheshin kaldaja me gaz. Ishte e vështirë për mua që në Tiranë kisha një status krejt tjetër. Edhe Sonja e përballoi me dinjitet situatën e re ku e gjetëm veten. Vështirësitë na bashkuan edhe më shumë.
Aktrimi në Itali – Shkoja në Napoli me tren, udhëtoja gjithë natën për të arritur në mëngjes e për të xhiruar 3 puntata të një seriali që transmetohej tek RAI. Më pas, merrja trenin për t’u kthyer sërish në Bassano del Grappa në 8 të mëngjesit pasi duhet të isha në fabrikë sërish. Nuk do e harroj erën e tmerrshme që mbanin trenat e natës, por ajo eksperiencë më bëri më të fortë.
Filmi “Letrat e erës” – Kam shkruar skenarin brenda natës për metrazh të shkurër, më vonë e bëra për metrazh të gjatë. Në një darkë në një televizion italian ku po flisnim për luftën në Kosovë, një gazetar më rekomandoi tek një producent i cili e paraqiti skenarin për financim në Ministrinë e Kulturës. Kur më morën në telefon për të më thënë që kisha fituar mes 97 projekteve, mbylla telefonin dhe ulërita nga gëzimi.
Filmi “Balkan Bazaar” – Ka pasur vlerësime shumë të mira nga kritika italiane dhe kinematë janë mbushur plot kur shfaqej.
Kinemaja italiane dhe ajo shqiptare – Jam pjesë e të dyja kinemave, më duket vetja italo-shqiptar.
Top Channel