Shkodër, arrestohet vënësi i tritolit

30/01/2014 00:00

Një shtetas i dyshuar për vendosje eksplozivi në banesën e një biznesmeni u arrestua pasditen e së enjtes nga Policia e Shkodrës.

22-vjeçari Shkëlzen Xhenja  ishte shpallur në kërkim nga policia si i dyshuar në lidhje me vendosjen e tritolit në banesën e shtetasit Bledar Canka.

Dy ditë më parë, policia kishte arrestuar 15-vjeçarin Marselian Guri, i konsideruar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje të rëndë.

Nga shpërthimi, fatmirësisht nuk pati viktima, por dëme të konsiderueshme materiale në banesën e Cankës dhe të fqinjëve.

Dyert u shkatërruan dhe vala e shpërthimit shkuli edhe muret e banesës. Në shtëpinë, ku u vu eksplozivi, 34-vjeçari banon me familjen e tij.

Pas shpërthimit, në vendin e ngjarjes mbërriten forcat e policisë, që menjëherë morën në pyetje kryefamiljarin. Ai është tregtar që merret me biznesin e bizhuterive dhe sipas deponimeve të para, deklaroi se nuk kishte asnjë konflikt.

Hetimet e ndjekura nga sektori i anti-terrorit treguan se se lënda plasëse ka qenë një sasi e konsiderueshme, rreth 250 gram e llojit tritol dhe se shpërthimi ka qenë i fuqishëm, aq sa shkuli nga vendi dyert e blinduara të të gjithë banesave të katit të pestë, ku ka ndodhur ngjarja, si dhe bllokoi edhe dyert e ashensorëve.

Tashmë me të dy autorët e dyshuar në duart e policisë, pritet të zbardhen më tej arsyet që motivuan këtë akt terrori në derën e banesës së biznesmenit.

Top Channel