“Rama të shkundë SHISH-in nga apatia”

30/01/2014 00:00

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi thotë se kryeministri duhet të jetë më kërkues ndaj këtij institucioni për apatinë në të cilën ndodhet.

“Unë nuk e di se sa ka dhënë SHISH-i. Kryeministri tha s’ka dhënë asgjë dhe edhe mund të jetë e vërtetë. Nuk e them dot nëse kjo është e qëllimshme apo vërtet janë apatikë aq sa s’kanë kuptuar asgjë se çfarë po ndodh. Edhe kjo mund të jetë, por janë të deturuar me ligj të ofrojnë informacion, ndaj ata që e komandojnë këtë shërbim, personalisht kryeministri, duhet të jenë më kërkues ndaj shërbimit”, vlerësoi zoti Klosi.

Klosi thotë se në rastin kur kemi të bëjmë me një cënim të rëndë të sigurise kombëtare, shefi i SHISH nuk mund të kthejë përgjigje se nuk ka arritur dot t’i gjejë informacionet.

“Nuk mund të justifikohesh duke thënë se s’kam të dhëna, kam lënë detyra, por s’kam marrë rezultate. Nuk mund të përdorë këtë gjuhë shefi i shërbimit. Ke dhënë detyra e s’ke marrë rezultate? Atëherë pse nuk e ndërrove javën tjetër stilin e mbledhjes e dhënies së detyrës, seriozitetin e lënies së detyrës dhe prioriteteve, qoftë edhe duke u future vetë, të organizohesh për të kërkuar llogari. Ka shumë mënyra për të ngutur, që në këtë situatë konkrete shërbimi të jetë shumë më efikas”, vlerësoi ish-kreu i SHISH-it.

Zoti Klosi thotë edhe se deklaratat e opozitës nxisin pasiguri në vend.

“Në qoftë se deri tani u bë muaj që e po e ndiejmë se diçka ka ndryshuar, atëherë unë e lidh edhe me dy të parat, rritjen e këtij fenomeni dhe propagandën e madhe, ngritjen e një grupi parlamentar të kërkuar nga PD dhe tani as Shërbimi Informativ nuk jep asgjë. Të treja i shikoj në të njëjtën linjë”, përfundoi Klosi.

Top Channel