Kreu i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, bëri thirrje për një bashkëpunim të forte politik lidhur me reformimin e instituconit të monitorimit të medias audiovizive.

Zoti Kukan e konsideroi shumë të rëndësishëm këtë proces për të garantuar lirinë e medias në Shqipëri.

“Nevojitet fryma e bashkëpunimit politik kur forcohet pavarësia e rregullatorit për median”. Kështu këshillon kreu i Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, përmes një deklarate të posaçme për shtyp.

“Bashkëpunimi dhe respekti reciprok mes të gjitha forcave politike është çelësi për përparimin e mëtejshëm të vendit në procesin e integrimit “, shprehet Kukan, i cili kujton atë pjesë të rezolutës së Dhjetorit të Parlamentit Europian mbi Shqipërinë që “i bën thirrje Kuvendit dhe Qeverisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse shtetërore për të ruajtur dhe nxitur integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kyçe”.

” Në këtë drejtim, pavarësia dhe integriteti institucional i Autoritetit të Medias Audiovizuale, përgjegjës, ndër të tjera, për forcimin e lirisë së medias dhe reformën e transmetuesit publik është shumë e rëndësishme.

“Apeloj fort ndaj aktorëve kryesorë politikë për të ruajtur frymën e bashkëpunimit, i cili ishte i pranishëm gjatë miratimit të ligjit për median në Mars 2013 dhe për të garantuar praktikat më të mira në lidhje me pavarësinë dhe proçedurat e emërimit të anëtarëve të rregullatorit të medias”, përfundon qëndrimi i Eduard Kukan.  

Sipas burimeve të “Top-Channel”, kjo deklaratë vjen pas shqetësimeve të ngritura nga kryetarja aktuale e AMA-s, pranë zyrës së eurodeputetit të djathtë sllovak, përpara se Kuvendi të miratojë ndryshimet ligjore të propozuara nga shumica qeverisëse mbi emërimet në këshillin drejtues të këtij autoriteti.  

Përgatiti: Arta TOZAJ, Bruksel

Top Channel