“Bomba me porosi të një politikani”

30/01/2014 00:00

Arrestimi i Julian Sinanajt në Shqipëri vazhdon të përbëjë lajm në Greqi, ku akuzohet për një sërë krimesh të rënda, përfshirë këtu edhe si pjesëmarrës në organizata terroriste.

Ditën e enjte gazeta greke “To Vima” shkruan në edicionin e saj në internet se Sinanaj ka pranuar para hetuesve shqiptarë se është autor i 27 vrasjeve në Itali, Shqipëri dhe Greqi.

I njëjti burim thotë se Sinanaj është vendosur në Greqi së bashku me familjen e tij në vitin 1997. Aktivitetin kriminal në vendin fqinj mendohet se e ka nisur kur ishte ende minoren, që 14 vjeç.

Por më e bujshme është deklarata, që sipas mediave greke ka dalë nga goja e Sinanajt, mbi vendosjen e bombës në Gjykatën e Selanikut.

“To Vima” shkruan se 30-vjeçari shqiptar ka pranuar se është autor i vendosjes së bombës dhe ka shkuar më tej duke nxjerrë edhe porositësin, që gjithnjë sipas gazetës greke është politikan i një partie në vend.

“To Vima” citon edhe hetuesit grekë, që ende nuk kanë marrë në pyetje të arrestuarin. Sipas tyre, nëse vërtetohen dëshmitë e Sinanajt, në vend do të ketë hetime dhe zhvillime të mëdha që mund të cojnë në prangosjen edhe të ndonjë emri politikani.

Top Channel