Bayern vijon rekordet, 2-1 ndaj Stuttgart

30/01/2014 00:00

Dy gola në pjesën e dytë i dhanë mundësinë kampionëve të Bayern Munchen të ruajnë ecurinë rekord të pamposhtmërisë së tyre në kampionat, duke përmbysur gjithçka në transfertën e Stuttgart për të fituar 2-1 dhe për ta çuar në 43 numrin e takimeve pa humbje.

Goli i Thiago Alcantara-s, ai që vulosi fitoren e bavarezëve, i cili ishte njëkohësisht edhe goli i tij i parë me fanellën e Bayern Munchen, erdhi nga një rroveshatë e mrekullueshme në minutën e 3 të kohës shtesë, duke i siguruar kështu ekipit të Pep Guardiola-s fitoren e 16 në 18 takime të luajtura.

Bayern-it i kishin mbetur vetëm 14 minuta, pas të cilave do të duhej t’i jepte fund ecurisë rekord, që ka nisur prej Tetorit 2012, përpara se Claudio Pizarro të barazonte shifrat, pas disavantazhit të pësuar pas golit të Vedad Ibisevic gjatë pjesës së parë.

Ky takim ishte i shtyrë për ditën e mërkurë, teksa normalisht duhej të ishte luajtur në Dhjetor, por në atë kohë Bayern ishte në Marok, nga ku u kthye me titullin e kampionit nga Botërori për Klube.

Bayern aktualisht është duke vendosur rekorde në Bundesligë, pasi kjo ishte dhe ndeshja e 28 e tyre në transfertë pa pësuar humbje. Dhe, me plot 50 pikë në 18 takime të zhvilluara, trajneri Pep Guardiola ka shënuar startin më të mirë nga çdo trajner tjetër në historinë e Bundesligës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta