Kriza e Ronaldos me Jorge Jesus shkon përtej Portugalisë, De la Fuente thyen heshtjen
Kampionët në fuqi të Kupës së Mbretit, Atletico Madrid, siguruan kalimin në gjysmëfinale të kompeticionit, ku do të përballen me rivalët e betuar të Realit të Madridit, pasi mposhtën me përmbysje Athletic Bilbao 2-1, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 3-1 në favor të tyre.
Edhe Barcelona preu biletën për një vend në 4 më të mirët e trofeut të dytë për nga rëndësia në Spanjë, pas fitores 5-1 ndaj Levantes në “Camp Nou”, por rezultati i përgjithshëm për katalanasit është edhe më i thellë, 9-2.
Në Bilbao, Aritz Aduriz kaloi në avantazh vendasit 4 minuta nga fundi i pjesës së parë, ndërkohë që në dy raste të tjera të pastra për shënim, pengesa e vetme mbante emrin Thibaut Courtois.
Gjithsesi, Atletico zbriti në pjesën e dytë me më shumë vendosmëri, duke barazuar rezultatin 10 minuta pas rifillimit të lojës, kur Raul Garcia ktheu në gol, krosimin e dhënë nga Emiliano Insua.
Diego Costa siguroi kalimin për më tej të madrilenëve, duke shënuar kështu golin e tij të parë për vitin 2014, pas një kundërsulmi. Kjo ishte humbja e parë për Athletic Bilbao në fushën e tyre, “San Mames”, stadium të cilin kanë nisur ta përdorin që nga fillimi i këtij sezoni.
Atletico do të udhëtojë drejt “Santiago Bernabeu”-t, ku vitin e kaluar mposhtën 2-1 Realin në finalen e kompeticionit, ndërsa këtë vit do të zhvillojnë takimin e parë për gjysmëfinalet, ndërkohë që takimi i kthimit do të jetë në “Vicente Calderon”, një javë më pas.
Ekipi i drejtuar nga Simeone do të përballet me Realin 3 herë gjatë këtyre 3 javëve, për kampionat dhe kupë, e megjithatë ata janë të pamposhtur në 4 takimet e fundit kundër “Los Blancos” dhe Barcelonës këtë sezon, duke u shpallur luftë kompetitive dy gjigantëve spanjollë.
Ndërkohë, kalimi i Barcelonës për në gjysmëfinale ishte disi më i lehtë, pasi shpartalluan Levanten në “Camp Nou” 5-1. Fillimisht takimi nisi me një autogol të Sergi Roberto-s, por asnjë shpresë më tej për miqtë për të përmbysur humbjen e parë 4-1.
Më pas, Adriano me një gjuajtje nga distanca dhe Carles Puyol me kokë rikthyen katalanasit në avantazh brenda pjesës së parë. Në të dytën, dy golat e Alexis Sanchez e çuan rezultatin në 4-1, ndërkohë që mbylli gjithçka Cesc Fabregas, 21 minuta nga fundi i takimit.
Top Channel